Trajneri i Rumanisë: Kosova ka 3-4 lojtarë të rëndësishëm, Zhegrova është i jashtëzakonshëm
Trajneri i Kombëtares së Rumanisë, Mircea Lucescu ka folur para ndeshjes ndaj Kombëtares së Kosovës, ku ka vënë theksin te disa futbollistë, të cilët sipas tij janë më të rëndësishmit. Kosova luan nesër (e premte) në udhëtim te Rumania, në ndeshjen që pritet të zhvillohet në “Stadiumin Nacional” me fillim nga ora 20:45, në kuadër të Ligës së Kombeve. Ekipi i Dardanëve është gati për këtë ndeshje, edhe përkundër disa mungesave të theksuara shkaku i lëndimeve.
Megjithatë, trajneri i rumunëve, Lucescu, ka theksuar se Kosova ka disa lojtarë të rëndësishëm në ekip, ku me theks të veçantë ka folur për Edon Zhegrovën, i cili sipas tij është i jashtëzakonshëm.
“Zhegrova është lojtar i jashtëzakonshëm nëse i lejohet të luajë. E mbyllëm mirë në Prishtinë. Në Evropë, në kampionat, ku i lejohet të luajë, është vendimtar”, ka thënë fillimisht Lucescu kur u pyet për lojtarët kosovarë. “Ata kanë 3-4 lojtarë të rëndësishëm aty. Rrahmani, Berisha, Muriqi dhe Zhegrova janë më të rëndësishmit”, përfundoi trajneri i Rumanisë.