Trajneri i Rumanisë: Kosova një kundërshtar i vështirë, por ne fitojmë
Rumania e pret Kosovën të martën mbrëma në Bukuresht në ndeshjen më të rëndësishme të tyre për kualifikueset e “Euro 2024”.
Trajneri Edi Iordanescu është i bindur se përfaqësuesja që ai udhëheq mund ta mposht Kosovën dhe do të shkoj në Kampionatin Evropian.
“Jemi para një momenti të rëndësishëm, një ndeshje të rëndësishme për renditjen në tabelë dhe objektivin që e kemi. Jemi shumë të vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhemi, por besoj se do të reagojmë. Unë jam jashtëzakonisht realist dhe e pranoj realitetin, kështu që, duhet të rrisim nivelin tonë të lojës duke u nisur nga ndeshja me Kosovën”, ka thënë Iordanescu.
“Ne jemi në garë për kualifikim në evropian. Jemi në pozitën e dytë dhe të pamposhtur pas pesë ndeshjeve të luajtura. Po ashtu, kemi edhe mbrojtjen më të mirë. Do të vazhdojmë tutje me vetëbesim dhe këtë e pres në ndeshjen e radhës. Ndryshime në formacion, padyshim se do të ketë. Nuk e di sa ndryshime, por ato do t’i shihni para ndeshjes. Kemi nevojë për energji, të vrapojmë dhe të fitojmë duelet. Na pret një ndeshje shumë e vështirë për shkak se Kosova ka lojtarë në pesë ligat më të forta të Evropës dhe vjen këtu për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim”, ka deklaruar Iordanescu.