Trajneri i Sllovenisë: Shqipëria nuk mund të nënvlerësohet

07 dhjetor 2023 | 13:33

Ndonëse është në grupin më të vështirë të mundshëm në Kampionatin Evropian të futbollit, Shqipëria nuk mund të nënvlerësohet.

Kështu ka thënë trajneri i Sllovenisë, Matjaz Kek, i cili ka udhëhequr përfaqësuesen e tij drejt Evropianit që mbahet verën e ardhshme në Gjermani.

Në intervistat dhënë për mediat kroate lidhur me shortin e së shtunës së kaluar dhe për Evropianin, trajneri ka folur vazhdimisht me shumë respekt për kuqezinjtë, të cilët ndodhen në Grupin B të “Euro 2024”-ës me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë.

“Nëse duhet të brengoset dikush në këtë grup, atëherë është dikush tjetër dhe jo Kroacia, që është e dyta dhe e treta në botë dhe finaliste e Ligës së Kombeve”,  ka deklaruar ai për faqen kroate, “net.hr”.

“Qartë se nuk është grupi më i lehtë për Kroacinë. Luani ndaj Spanjës e Italisë dhe kjo është motivuese për lojtarët. Por një gjë dua ta theksoj veçanërisht, që Shqipëria asesi nuk mund të nënvlerësohet. Shqipëria në grupin e saj ishte e para. Shqiptarët janë klientë jashtëzakonisht të papërshtatshëm”, ka theksuar Kek.

Trajneri slloven ka theksuar se Kroacia do ta ketë më vështirë ndaj Shqipërisë se ndaj Spanjës dhe Italisë.

“Teksa Kroacia ka patur rezultate të shkëlqyera, italianët nuk ishin në dy Botërorë radhazi”,  ka thënë Kek.

“Sigurisht që Kroacia më lehtë do të futet në ‘luftë’ me Italinë se me ndonjë ekip që nuk vlerësohet aq lart, por që është e rrezikshme. Jam i bindur që kroatët më vështirë do ta kenë me Shqipërinë, që e ka fituar grupin, se ndaj Spanjës apo Italisë”, ka pohuar tekniku slloven.

Kujtjmë se Shqipëria, ashtu edhe Sllovenia, marrin pjesë për herë të dytë në fazën finale të një Evropiani, me kuqezinjtë që rikthehen pas 8 vitesh, ndërsa skuadra e Kek-ut pas plot 24 vitesh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është anuluar konkursi për pozitën e kryeshefit ekzekutiv në ndërmarrjen…