Trajneri i Spanjës Enrique kishte ngecur në lift për një orë para ndeshjes me Kosovën

01 prill 2021 | 13:17

Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, ka zbuluar se kishte ngecur në liftin e hotelit të skuadrës për një orë, bashkë me ndihmëstrajnerin e vet, para ndeshjes kundër Kosovës në kualifikime për Kupën e Botës 2022 të mërkurën.

Enrique dhe ndihmësi i tij kishin mbërritur në stadiumin e Sevillës “La Cartuja” pak çaste para ndeshjes, pasi autobusi me lojtarë kishte mbërritur tashmë.

Spanja e mundi Kosovën 3:1 në një ndeshje të Grupit B kualifikues për Botërorin e Katarit, duke ua shkaktuar dardanëve disfatën e dytë në dy ndeshjet e para në grup.

Duke folur pas ndeshjes për incidentin me lift, Enrique ka thënë: “Ne e kishim një plan B dhe stafi im do ta udhëhiqte ndeshjen. Nuk do të ishte punë e madhe, nëse nuk do t’ia kisha dalë të mbërrija”.

Spanja është lidere e Grupit B me shtatë pikë, pas tri ndeshjeve, e ndjekur nga Suedia me gjashtë pikë pas dy ndeshjeve. Greqia është e treta me dy pikë nga dy ndeshje. Gjeorgjia është e parafundit me një pikë nga tri ndeshje, ndërsa Kosova e fundit pa pikë nga dy ndeshje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja Beyonce ka ndarë fotografi nga albumi familjar. Të mërkurën,…