Trajneri i Turqisë: Ndihmoni viktimat e tërmetit, ja se si mund ta bëni!
Trajneri i Kombëtares së Turqisë, Stefan Kuntz, u ka kërkuar ndjekësve të tij në rrjetet sociale, e jo vetëm, që të ndihmojnë sadopak viktimat e tërmetit që deri më tani ka marrë mbi 10 mijë jetë njerëzish, e ndërsa mijëra të tjerë janë ende nën rrënoja.
Në një postim në rrjetet sociale gjermani kërkon që kush ka mundësi të dhurojë para për të ndihmuar personat e prekur.
“Të dashur miq, fansa dhe ndjekës. Me siguri keni dëgjuar për tërmetin në Turqi. Mijëra njerëz kanë humbur nënën, babanë, gjyshërit, xhaxhallarët, fëmijët, vëllezërit. Dhe shumë të tjerë janë varrosur nën rrënojat e shtëpive të shkatërruara. Më shumë se 10 qytete janë prekur, më shumë se 13 milionë njerëz jetojnë në këtë zonë. Shumë miq më kanë pyetur: si mund të ndihmojmë ne, kemi filluar edhe një fushatë për mbledhjen e fondeve në të cilën po marrim pjesë lojtarët e kombëtares sonë, familja ime dhe unë. Ne sigurohemi që paratë të transferohen në llogarinë e AFAD-it (Ekuivalenti i Mbrojtjes Civile Turke), prandaj është 100% e garantuar që paratë të arrijnë në zonat ku nevojiten. Detajet i gjeni pas kësaj videoje. Ju lutemi shpërndajeni këtë video sa më shumë që të jetë e mundur që më shumë njerëz të mund të ndihmojnë. Nuk ka rëndësi nëse se çfarë je gjerman, turk apo të tjerë”, ka thënë Kuntz.