Trajneri i Unitedit: Do ta mposhtim Bayernin

12 dhjetor 2023 | 14:01

Erik ten Hag kërkon të fshijë gjithçka nga ajo që po kalon Manchester United këtë sezon, përpara ndeshjes së fundit të grupit me Bayern Munchen. Shanset që “djajtë e kuq” të presin biletën në Grupin A pas ndeshjes së gjashtë sonte në “Old Trafford” duken minimale. Fati i anglezëve në një grup me Copenhagenin dhe Galatasarayin është në dorën e këtyre dy skuadrave që renditen mbi to në renditje.

Por trajneri holandez kërkon përqendrim maksimal për ndeshjen që ai ka në dorë dhe rezultati i tyre ndaj kampionëve të Gjermanisë sot në “Teatrin e Ëndrrave” duhet të jetë thjesht fitore, për të shpresuar më pas te një barazim në duelin tjetër të grupit.

“Unë nuk mendoj kurrë skenarë negativë, ne mendojmë pozitivisht. E dimë se duhet të fitojmë për të qëndruar në Evropë. Ne e përgatisim skuadrën me këtë ndjesi dhe këtë besim. Ne mund t’ia dalim. E kemi treguar në javët e fundit që kur jemi në më të mirën tonë ne mund t’ia dalim”, tha trajneri në konferencën për shtyp. Bayerni vjen në Manchester i pamposhtur në 39 ndeshje të grupeve në Champions. Humbja e tyre e fundit daton në shtator 2017: “Një gjë është e sigurt, ndaj një ekipi si Bayerni ti duhet të luash ndeshjen më të mirë, sepse ata janë një skuadër shumë e mirë me individualitete të mëdha. Nga ana tjetër, Chelsea ka lojtarë të shkëlqyer, por ne i dominuam. Mendoj se mund ta bëjmë edhe ndaj Bayernit. Të gjithë janë gati dhe ne jemi në gjendje që ta bëjmë”.

Në fund ai lëshoi edhe një mesazh për tifozët: “‘Old Trafford’ nuk është një vend i bukur për kundërshtarët. Për sa kohë unë jam këtu ne jemi të bashkuar. Ne duhet t’u japim energji tifozëve. Nuk kemi probleme me skuadrën. Ka një dyshim vetëm për Lindelofin, por do të shohim nëse ai do t’ia dalë të jetë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti dhe këngëtari Labinot Tahiri, ka shprehur ngushëllime për vrasjen…