Trajneri me përvojë ndërkombëtare stërvit gjimnastet e ‘Elitës’
Prej dy javësh sportistet e klubit të gjimnastikës “Elita” janë stërvitur nga trajneri i gjimnastikës, Muhamed Muharremi, i cili prej vitesh ushtron dhe stërvit sportistet në Norvegji.
Trajneri Muharremi ka një karriere të gjatë sportive në gjimnastikë në disiplinën tumbling, në akro (akrobatic) dhe në cheerleader, ku triumfet e tij janë të shumta, duke nisur që nga pjesëmarrja në kampionate botërore duke përfaqësuar ekipin norvegjez. Në vitin 2013, ai është shpallur kampion i Norvegjisë dhe përsëri në po të njëjtin vit e ka fituar vendin e dytë në Kampionatin Evropian, ku për pesë poena mund të ishte shpallur edhe kampion Evropian.
“Gjatë proceseve stërvitore, Muhamedi ishte i pa kursyer në punën e tij si trajner, duke bërë që gjimnastet tona të ndihen komod, të motivohen dhe të përmirësohen në pjesën teknike të ushtrimeve”, thuhet në njoftimin e KGJ “Elita”.
Në shenjë falënderimi për energjinë dhe punën e pakursyer, Klubi i Gjimnastikës “Elita” i ndahu mirënjohje, derisa kryetrajneri i klubit Shkumbin Maqestena, e falënderoj përzemërsisht për ardhjen e tij në klubin prishtinas, duke konfirmuar se dyert e “Elitës” gjithmonë janë të hapura për të.