Trajneri nga Kosova ka synime të mëdha me Atsv Erlangen
Ish-ylli i futbollit në Kosovë, Shqipran Skeraj, po tregohet i suksesshëm në detyrën e trajnerit në futbollin gjerman.
Shqipran Skeraj është një nga lojtarët më të mirë në futbollin e pasluftës. Ai në vitin 2009, pas një përvojë të madhe me skuadrën e Prishtinës, vendosi ta bëjë hapin e madh në karrierë, duke u transferua te skuadra e njohur gjermane Greuther Furth. Zhvillimin e mëtejshëm të Skerajt e penguan shumë në zhvillimin e karrierës lojtarin me prejardhje nga Prizreni. Tash mbrojtësi i krahut në Përfaqësuesen e Kosovës e ka filluar zejen e trajnerit në Gjermani, përkatësisht me skuadrën e Atsv Erlangen në Ligën e Gjashtë. “Jam trajner i skuadrës së Atsv Erlangen që garon në Ligën e Gjashtë në Gjermani, por ambiciet tona janë që të inkuadrohemi në Ligën e Pestë. Si futbollist pothuajse e kam përfunduar karrierën. Ekziston mundësia të luaj sërish, por tash për tash jam i fokusuar në punën e trajnerit, për faktin se ambiciet e mia janë të mëdha në këtë zanat”, ka thënë Skeraj për “Epokën e re”.
Skuadra e drejtuar nga trajneri i Kosovës aktualisht pozicionohet e dyta në Ligën e Gjashtë, por Skeraj beson se suksesi nuk do të mungojë. “Besoj shumë se do t’ia arrijmë qëllimit që të inkuadrohem në një ligë më lart. Ekipi i parë që është në tabelë ka tri pikë më shumë, por e kemi përballjen e drejtpërdrejtë dhe besojmë se do të fitojmë”, ka shtuar Sekraj, i cili jeton në qytetin e Nurnbergut dhe është i martuar dhe ka dy djem. Në fund Skeraj ka treguar se është mjaft mirë i informuar për futbollin e Kosovës dhe se, sipas tij, Superliga ka vetëm ngritje në cilësi.
“Po e përcjelli vazhdimisht futbollin e Kosovës, pasi kam dëshirë të shoh se si përparon çdo ditë e më shumë. Talentet nuk kanë munguar asnjëherë, vetëm kushtet nevojitet të përmirësohen. Prishtinën, që lufton çdo vit për trofe dhe Drita, që është në formë të mirë, i shoh favorite për titull, por e mira e këtij kampionati është se nuk ka diferencë të madhe pikësh në mes të skuadrave”, ka deklaruar ai, raporton “Epoka e re”.
Shqipran Skeraj fillimisht synon të fitojë përvojë sa më të madhe si trajner në futbollin gjerman, duke arritur të drejtojë edhe klube të njohur e, më pas, nëse i jepet rasti, të punojë edhe në Përfaqësuesen e Kosovës në futboll.
(Veton ZYMBERI)