
Trajneri Petrescu: Korenica luan kudo, edhe portier madje
Trajneri i njohur rumun i CFR Cluj, Dan Petrescu, ka lavdëruar me superlativa mesfushorin kosovar Meriton Korenica, duke e cilësuar si një lojtar me vlera të jashtëzakonshme dhe fleksibilitet të rrallë në fushën e lojës.
Petrescu tha se talentin dhe potencialin e Korenicës e kishte vërejtur qysh gjatë përballjeve mes Clujit dhe Ballkanit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës në sezonin 2022/2023.
Në atë kohë, për klubin nga Suhareka luanin edhe emra si Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi dhe Lindon Emërllahu – ky i fundit tashmë pjesë e Clujit, ndërsa Rrahmani ka shkëlqyer me Rapid Bukureshtin.
“Kur barazuam me Ballkanin, shumë u tallën me mua. Por unë e dija çfarë cilësie kishin. E shihni tani, shumë prej tyre po shkëlqejnë në kampionatin tonë”.
“Korenica është një djalë i jashtëzakonshëm. Mund të luajë në të dy krahët, në mes, madje besoj se edhe si mbrojtës apo portier, nëse do të na duhej! Një lojtar i kompletuar”, deklaroi Petrescu me humor dhe admirim.
Meriton Korenica po kalon një sezon mbresëlënës me Clujin, ku ka kontribuar me 10 gola dhe 5 asistime në 41 paraqitje, ndërsa vlera e tij në tregun ndërkombëtar të transferimeve kap shifrën e 1.4 milionë eurove.