TRAMPI E KA KUPTUAR SE BOTA KA NDRYSHUAR

05 shkurt 2020 | 23:51

Milazim KRASNIQI

Nuk e njoh politikën amerikane, prandaj nuk kam dhënë asnjë mendim as për zgjedhjet e fundit. Fatmirësisht, nuk më ka kërkuar as ndonjë medie mendim. Rezultati i zgjjedhjeve tregoi se edhe njohësit e politikës amerikane, edhe vetë mediet amerikane, kanë qitë fall.

Tash pas këtij rezultati në dukje të papritur e shokues, mund të kuptohet më lehtë pse ka ardhur ky rezultat dhe çka mund të presim. Ky rezultat ka ardhur nga mënyra se si mediet, elitat dhe shoqëria amerikane e kanë trajtuar botën jashtamerikane në dy deceniet e fundit, veçmas pas vitit 2001. Shkulmet e paprera të sulmeve islamofobike ndaj muslimanëve e kanë prodhuar islamofobinë, sulmet ndaj hispanikëve e kanë forcuar ksenofobinë, sulmet ndaj zezakëve e kanë rikthyer sindromin racist, nënçmimi ndaj femrës, vetëm sa e ka përligjur atë që transmetojnë mediet pa pushim dhe që realisht ndodhë me femrën në shoqërinë amerikane. Islamofobia, ksenofobia, racizmi dhe urrejtja gjinore, ishin në themelet e fushatës së Donald Trampit. Ai mund të mos jetë fare islamofob, as ksenofob, as racist, as femërurrejtës, por strategët e fushatës së tij e kanë kuptuar se këto kontigjente votuesish tashmë ekzistojnë dhe u kanë dhënë ofertën adekuate. Pra, fitorja e Trampit është disfata e liberalizmit koketues e hipokrit amerikan.

Tjetra: bota ka ndryshuar rrënjësisht në këto 30 vjet, edhe pa hipokrizinë e liberalizmit amerikan, po në disa raste edhe falë tij: sot ekziston një Kinë tjetër nga ajo e Mao Ce Dunit, një Rusi tjetër nga ajo e Boris Jelcinit, një botë arabe tjetër nga ajo e Mubarakut, Sadam Husejnit e Gadafit, një Evropë tjetër nga ajo e Theqerit, Kolit e Miteranit. Logjikisht, do të ketë ndryshuar edhe Amerika e Reganit, Bushit (Plak) e Bill Klintonit. Mbase pa e kuptuar ndryshimin e madh mediet dhe as elitat amerikane, ato që Fared Zakaria i quan “aristokracia amerikane”. Por, ky burri shihet që e paskësh kuptuar ndryshimin e botës. Prandaj ai flet për miqësi me Rusinë, për ashpërsim me Meksikën, për ftohje e injorim me Evropën, për rishikim raportesh me Kinën, etj.

Çka mund të pritet nga politika e re, e identifikuar me presidentin e ri amerikan, në raport me këtë botë të ndryshuar? Mund të priten këto zhvillime: 1. Promovimi i izolacionizmit dhe fuqizimi i grupeve sociale, politike e intelektuale me orientime islamofobike, ksenofobike, raciste e antifeministe. 2. Partneriti i ri i SHBA- ve me Rusinë (me Britaninë jashtë BE-së) mund ta rikthejë partneritetin e tipit Ruzvelt-Stalin- Çerqill dhe një rikonfigurim i interesave të këtyre tre fuqive. 3 Injorimi i Gjermani dhe Francës, për ta gjunjëzuar, (ose rizgjuar) BE-në, por gjithsesi me një BE të margjinalizuar. 4. Frenimi i ambicieve ekspansioniste e proteksioniste të Kinës, veçmas ndaj tregjeve amerikane. 5. Amerika Latine do të jetë nën presion të tmerrshëm, veçmas Meksika. 6.Sferat e influencës në Lindjen e Mesme do të rindahen mes SHBA e Rusisë, duke nxjerrë jashtë loje dokrinën e deritashme Sykes-Pikot. 7. Sa i përket Ballkanit, mund të rritet ndikimi i Rusisë edhe më shumë, pra Serbia mund të rifuqizohet. (9 nëntor 2016)

P.S. Vendimi i sotëm i Senatit për ta lënë në detyrë presidentin, verifikon konstatimet e mia të para katër viteve, me plotësimin se ka ndryshuar vetë SHBA nga brenda, me një ndarje në “tanët” dhe “të tjerët”, ku të tjerët janë edhe kundërshtarët politikë! Pra, Tramp mbetet në pushtet i pasfiduar, sepse e përfaqëson një SHBA të ndryshuar dhe një botë të ndryshuar.

(5 shkurt 2020)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim me të…