Transferime me ‘bollëk’ në Superligë
100 transferime janë realizuar nga 12 skuadrat e Superligës deri tash në afatin kalimtar. Pritet që klubet elitare të bëjnë lëvizje të tjera deri në mbyllje të afatit kalimtar që përfundon më 16 gusht. Llapi është lider i transferimeve me 14 lojtarë, kurse Trepça ’89 është e fundit në këtë garë me vetëm dy transferime.
Më 16 gusht afati i transferimeve të futbollistëve do të përfundojë në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Skuadrat e këtij rangu garash në Kosovë nuk kanë qëndruar duarkryq dhe kanë bërë transferime të shumta ku spikat numri i madh i transferimeve nga Llapi, Ferizaj, Gjilani, por edhe skuadrat e tjera nuk qëndrojnë keq në këtë aspekt. Vlen të ceket se edhe numri i futbollistëve të ardhur nga Shqipëria është shumë i madh në krahasim me afatet kalimtare në të kaluarën.
Feronikeli
Skuadra kampione dhe fituese e Kupës, Feronikeli, është treguar mjaft e matur në këtë afat kalimtar për faktin se ka transferuar vetëm tre futbollistë, por plani i saj për ruajtjen e lojtarëve nga edicioni i kaluar ka funksionuar për mrekulli. “Nikli” transferoi Argjend Malajn dhe Milos Krkotiqin, derisa si huazim nga skuadra e Shkupit e mori Besmir Bojku. Nga lojtarët e larguar spikasin emrat Artur Magani, Ben Hamed Kone, Alush Gavazaj dhe Berat Ahmeti.
Prishtina
Skuadra nënkampione e Kosovës, Prishtina, e synon titullin në edicionin e ri dhe për një gjë të tillë e ka rikthyer në skuadër Ahmed Januzin dhe Endrit Krasniqin, kurse ka transferuar edhe Kreshnik Ukën, Tun Bardhokun, Alban Shillovën, Eglant Haxhon, Adem Jahajn dhe Arti Malokun. Kryeqytetasit e Kosovës janë goditur edhe nga dy largime shumë të rëndësishme. Kapiteni Armend Dallku vendosi të pensionohet dhe Visar Bekaj do të transferohet në Gjermani. Largime të tjera janë Arago Jamal, Alen Jasharoski, Mërgim Pefqeli, Arbër Hoxha, Donat Hasanaj, Visar Bekaj, Abdul Bashiru.
Llapi
Llapi i Tahir Batatinës duket se seriozisht do të luftojë për titull sepse ka transferuar lojtarë me përvojë si Sebino Plaku, Labinot Osmani dhe Enis Zaberxha. Transferimet e tjera janë Xhelil Abdullahi, Bruno Arrabal, Kastriot Selmani, Besfort Emini, Armin Mujkiq, Blendi Memaj, Emit Umut, Erijon Thaçi, Senad Husiq, Isein Zejnoski dhe Mërgim Pefqeli. Ndërsa skuadrën e Llapit e kanë braktisur Englant Haxho, Egzon Sinani, Ilir Blakçori, Hamdi Namani, Gentrit Begolli, Festim Alidema, Remzifaik Selmani, Miran Maksuti dhe Ahmed Januzi.
Drita
Ish-kampionia e Kosovës, Drita, bëri transferime shumë cilësore si Hamdi Namani, Faton Maloku dhe Izair Eminin. Këtyre i janë bashkuar edhe Ilir Blakçori, Viktor Kuka, Drilon Islami, Donat Hasanaj, Darko Tofiloski, Gilberto Fortunato dhe Bunjamin Shabani. Nga ish-skuadra kampione janë larguar lojtarët që edicionin e kaluar kanë qenë titullarë të padiskutueshëm si Haxhi Neziraj, Endrit Krasniqi, Kyrian Nëabueze, Klajdi Burba, por edhe Mario Kirev, Zgjim Mustafa, Filonit Shaqiri dhe Përparim Livoreka.
Ferizaj
Ndryshe nga skuadrat e tjera, Ferizaj transferoi shumë lojtarë, por ende nuk dihet nëse të njëjtit do të qëndrojnë apo do të largohen, sepse pronarët e rinj ende nuk e kanë përmbyllur procesin e privatizimit të klubit dhe kontratat me futbollistët ende nuk janë nënshkruar. Transferimet e gjertanishme janë Donat Kaçiu, Dardan Jashari, Fisnik Papuçi, Ergon Hyseni, Filonit Shaqiri, Zgjim Mustafa, Taulant Dajaku, Përparim Livoreka, Fatih Karahoda, Behar Bardhi, Besart Dushi, Alban Rexhepi dhe Edon Sadriu. Ndërsa nga largimet janë Drilon Islamaj, Qëndrim Dautaj, Viktor Kuka, Genc Hamiti, Durim Gashi dhe Armend Aliu.
Flamurtari
Flamurtari i Prishtinës realizoi dhjetë lëvizje në këtë afat kalimtar. Shtatë futbollistë janë bërë kuqezi, kurse tre të tjerë janë larguar. Festim Krasniqi, Edon Zeqiri, Torviol Stullqaku, Ernes Islami, Danin Talloviq, Gentrit Begolli dhe Erlind Selimaj do ta djersitin fanellën e skuadrës nga kryeqyteti, kurse këtë fanellë më nuk do ta djersitin Alban Shillova, Flamur Neziri dhe Florim Bërbatovci.
Drenica
Drin Hodaj, Hasan Hyseni, Genc Hamiti, Përparim Osmani, Argjent Mustafa janë përforcimet e skuadrës tjetër kuqezi në elitë, Drenicës. Krenshnik Uka dhe Taulant Dajaku janë larguar, kurse e ardhmja e Qemail Elshani mbetet e paqartë, ani pse për “Epokën e re”, “Qema” e ka konfirmuar qëndrimin në skuadrën nga Skenderaj.
Ballkani
Aktiv është treguar edhe Ballkani i Suharekës, pasi ka bërë disa transferime interesante. Artur Magani ka vendosur që në mesin e shumë ofertave ta zgjedhë Ballkanin, kurse rrugën e sulmuesit shqiptar e ndoqën edhe Edmond Turku, Kushtrim Gashi, Arbër Hoxha, Durim Gashi, Flamur Gashi, Albin Berisha, Albin Kapra, Egzon Sinani dhe Bleron Sekiraqa. Të larguarit janë Aldin Adzoviq, Dardan Jashari, Gentian Elezaj, Leart Emini, Ilir Gegaj, Leutrim Gashi, Ledjon Muçaj, Almir Ajzeraj dhe Borche Manevski.
Trepça ’89
Një prej skuadrave që ka bërë më së paku transferime është Trepça ’89, e cila ka marrë Leart Eminin dhe Rron Statovcin. Nga “Riza Lushta” janë larguar Elton Basriu, Ergys Mersini, Orges Gava, Renato Hyshmeri dhe Hasan Hyseni.
Gjilani
Qëndrim Dautaj është rikthyer në Gjilan pas një kohe të gjatë, kurse derisa kësaj skuadre i janë bashkangjitur edhe Shkëlqen Ruçi, Erlis Frashëri, Oltion Rapa, Jackson Ferreria, Muhamet Useini, Bedri Greca, Gerhard Progni dhe Tomislav Busiq. Nga Gjilani janë larguar Vilfor Hysa, Shpend Asani, Kledi Koci, Donat Kaçiu, Endrien Magani, Vilson Lila, Fisnik Papuçi, Jefferson Lopes, Semir Hadzibulic, Ansi Nika, Qëndrim Ismajli & Arlind Ismajli.
Vushtrria
Vushtrria është skuadra që doli kampione në Ligën e Parë dhe afati kalimtar ka qenë mjaft i fuqishëm nga ky klub që pretendon të ketë stabilitet në Superligë. Kujtim Pantina, Besfort Dervishaj, Rinor Karaqa, Petrit Tahiri, Qëndrim Gashi, Bashkim Shala, Enes Manxholli, Ledjon Muçaj, Jasmin Rraboshta, Klevis Lushaku janë përforcimet e Vushtrrisë, kurse nga ky klub janë larguar Labinot Osmani, Korab Hasani, Kastriot Selmani, Leutrim Kadriu, Eugen Rafuna dhe Alban Rexhepi.
Dukagjini
Dukagjini pas shumë vjetësh është rikthyer në Superligë. Skuadra nga Klina ka bërë disa transferime mjaft interesante, pasi në radhët e veta do të ketë lojtarë me përvojë të madhe si Elton Basriu, Ilir Mustafa, Altik Muhaxhiri, Jeton Dushi, Ilir Syla, Altin Lloga, Denis Haliti, Flamur Neziri dhe Husein Demiri. Tre lojtarë e braktisën këtë klub: Edmond Turku, Endrit Elezaj dhe Dukagjin Gashi.
/Veton ZYMBERI/