Transferimet e mëdha shqiptare nga Rashica te Hasani
Milot Rashica është transferimi kryesor nga futbollistët shqiptarë, pasi nga kampionati holandez është transferuar në një kampionat më të fortë siç është ai i Gjermanisë. “Jam i lumtur që do të luaj për një klub të madh si Werder Bremeni që ka një traditë të madhe në Bundesliga dhe mezi po pres sfidat e reja. Kalimi te Werderi është hap i madh. Jam i bindur që mund ta përmirësojmë situatën si ekip dhe unë personalisht të zhvillohem sa më mirë që të jetë e mundur”, ka thënë Rashica.
Dita e fundit e afatit kalimtar ka sjellë mjaft befasi, pasi disa futbollistë shqiptarë kanë ndërruar skuadrat. Reprezentuesi i Kosovës, Milot Rashica, ka bërë një “bum” të madh, duke e lënë skuadrën holandeze Vitesse për Werder Bremen. Menjëherë pas prezantimit nga klubi gjerman, Rashica është deklaruar duke bërë me dije se është mjaft i lumtur për këtë lëvizje. “Jam i lumtur që do të luaj për një klub të madh si Werder Bremeni që ka një traditë të madhe në Bundesliga dhe mezi po pres sfidat e reja. Kalimi te Werderi është hap i madh. Jam i bindur se mund ta përmirësojmë situatën si ekip dhe unë personalisht të zhvillohem sa më mirë që të jetë e mundur”, ka thënë Rashica.
Ndërsa skuadra gjermane është shfaqur mjaft e kënaqur me transferimin e futbollistit nga Kosova, duke e vlerësuar si një futbollist me perspektivë të madhe. Për Vitessen, Rashica është paraqitur në 83 ndeshje dhe ka realizuar 13 gola. Transferim i madh është edhe ai i sulmuesit kryesor të Kombëtares së Shqipërisë, Armando Sadiku. Sulmuesi kuqezi e braktisi skuadrën e Legia Varshavës për Levantën.
Sadiku që ka debutuar në vitin 2008 me Turbinën e Cërrikut, ka nënshkruar me skuadrën spanjolle deri në qershor të vitit 2020. “Për mua është një hap shumë i rëndësishëm për karrierën time. Jam shumë i lumtur për mundësinë që Levante më dha për të luajtur në La Liga. I kam ndjekur disa ndeshje të Levantes dhe besoj se mund të bëjmë shumë gjëra të mira së bashku”, ka thënë Sadiku.
Lëvizje befasuese ka shkaktuar edhe sulmuesi që mbron ngjyrat e shtetit zviceran, Admir Mehmedi. Ky i fundit, pas një aventure të gjatë me Bayer Leverkusenin, vendosi që karrierën të vazhdojë në skuadrën e Wolfsburgut. Mehmedi në këtë edicion ka luajtur në tetë ndeshje në Bundesliga, duke shënuar dy gola, kurse kontratë me skuadrën e re ka nënshkruar për katër vjet e gjysmë. 26-vjeçari në skuadrën e re do ta mbajë fanellën me numër 22, kurse në të kaluarën ka luajtur edhe për Freiburgun, Dynamo Kijevin dhe FC Cyrihun. Ndërkohë, transferim më i madh i një lojtari nga kampionati i Kosovës është ai i Florent Hasanit, i cili nga Trepça ’89 u transferua në kampionatin hungarez, saktësisht te skuadra e FC Diosgyor VTK.
“Pas një rruge të gjatë dhe me shumë sakrificë, erdhi dita të bëj një hap më të madh në karrierë. Së pari dua ta falënderoj Allahun që më dha shëndetin dhe të gjitha mundësitë të punoj. Dua të falënderoj të shtrenjtën familje, e cila më ka përkrahur maksimalisht në çdo moment dhe që i dua pa fund”, ka thënë Hasani, duke falënderuar më pas edhe ish-skuadrat e Trepçës ’89 dhe Kosovës së Vushtrrisë.
Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)