“Transformimi i FSK-së u shty për inate politike, mund të ndodhte më 2014”
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati ka theksuar se procesi për transformimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), ka mundur të fillojë në vitin 2014, por që, sipas tij, nuk ishte bërë aso kohe për inate politike.
Kastrati, në emisionin “Përballje” të “Telegrafit”, ka thënë se çdo vonesë në transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, do të thotë vonesë në integrimet euro-atlantike të Kosovës.
“Ne duhet ta kemi ushtrinë tonë, sepse forcat e KFOR-it, nuk do të qëndrojnë përgjithmonë, ku do të ishte mungesa e një shtylle të rëndësishme në sigurinë e vendit. Kemi nevojë për ushtri, sepse duhet ta kemi, të ruajmë sigurinë tonë kombëtare”, ka shtuar Kastrati.
Sipas tij, institucioni që e ka udhëhequr ai dikur, i ka kapacitetet e nevojshme njerëzore për tu kthyer në një ushtri.
Kastrati ka folur edhe për situatën e sigurisë në vend, ku ka thënë se ajo është e qetë, duke shtuar se duhet të kihet kujdes me kthimin e luftëtarëve të huaj nga i ashtuquajturi Shteti Islamik (ISIS).
Sipas tij, këta persona duhet të trajtohen dhe të punohet me ta në procesin e deradikalizimit të tyre.