Transformimi i FSK-së në ushtri do t’i kontribuojë paqes në rajon
Ramadan Avdiu
Transformimi i Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës do të jetë hapi vendimtar për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt në Gadishullin Ballkanik dhe Evropën Juglindore historikisht të trazuar.
Ushtria e Kosovës do t’i kontribuojë paqes dhe prosperitetit të gjithë regjionit sepse përfundimisht do të shuaj ëndrrën serbe për të përsëritur edhe ndonjë valë të re të gjenocidit mbi popullin shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni.
Shqiptarët akoma nuk kanë arritur të shpalosin para botës tmerret, gjenocidin dhe dëmet e shkaktuara nga serbët. Që nga hartimi i platformës serbe për zgjerim, të quajtur Naçertania më 1844, e deri në përfundim të luftës çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja më 1999, Serbia në mënyrë sistematike ka ushtruar gjenocid mbi popullin shqiptar. Pra, për më shumë se 150 vjet, raportet shqiptaro serbe karakterizohen me konflikte e luftëra në të cilat popullata shqiptare ka qenë viktimë e gjenocidit të paparë. Nga ajo kohë deri tash mund të përmendim të paktën 5 periudha historike kur është ushtruar gjenocid mbi shqiptarët.
- Pas marrëveshjes së Shën Stefanit më 1876-1878, pason vala e parë e gjenocidit serb mbi shqiptarët ku nga serbët u vranë mizorisht më shumë 300.000 shqiptarë në sanxhaqet e Vranjës, Nishit, Prokuples, Leskovcit, dhe në mbi 740 vendbanime të populluara me shqiptarë. Për dy vite tërë popullata shqiptare në Toplicë është vrarë ose dëbuar nga vatrat e veta.
- Në luftërat ballkanike 1912, pason vala e dytë e gjenocidit serb mbi shqiptarët. Në trevat shqiptare në Kumanovë, Shkup, Ferizaj, Prishtinë, Prizren dhe në pjesë tjera të Kosovës, Maqedonisë dhe të Shqipërisë janë vrarë me qindra mijë shqiptarë të pambrojtur nga ushtria serbe. Para botës propaganda serbe civilët e vrarë shqiptarë janë përpjekur t’i paraqesin si pjesëtarë të ushtrive të perandorisë turke.
- Në mes të dy luftërave botërore pason vala e tretë e gjenocidit serb mbi shqiptarët dhe në këtë periudhë janë vrarë e djegur e masakruar shumë vendbanime shqiptare kurse një pjesë e madhe e popullatës shqiptare nga Kosova e Maqedonia është dëbuar në Turqi.
- Pas luftës së dytë botërore pason vala e katërt e gjenocidit serb mbi shqiptarët, ku vetëm në Gjilan, Ferizaj dhe Drenicë do të vriten mbi 50 mijë shqiptarë nga ushtritë serbe.
- Nga vitit 1981 e deri më 1999 do të pasojë vala e pestë e gjenocidit serb mbi shqiptarët.
Për të gjitha aktet gjenocidare që Serbia ka ushtruar mbi shqiptarët përveç në vitin 1999, asnjëherë nuk është ndëshkuar. Përkundrazi. Pas gjenocidit të parë dhe të dytë mbi shqiptarët, në vend të ndëshkimit Serbia është shpërblyer duke ia njohur pushtimin e tokave shqiptare në kongresin e Berlinit më 1878 dhe në Konferencën e Londrës më 1913, dhe në Konferencën në Versaj më 1919-1920.
Pikërisht kjo qasje e mosndëshkimit e ka trimëruar Serbinë, dhe pastaj në valët e tjera nga viti e deri më 1999 Serbia ka aplikuar metoda fashiste për të eliminuar shqiptarët si të tillë nga trojet e veta dhe në vazhdimësi kurdo që ju ka dhënë rasti ka përsërit krimin e gjenocidit mbi shqiptarët.
Mbetet që këto periudha të tmerrshme historike për popullin shqiptar, të ndriçohen nga shkencëtarët dhe të dëshmohet gjenocidi sistematik serb kundër shqiptarëve.
Serbia nga viti 1999, është duke ëndërruar se sërish do t’i krijohen rrethanat e përshtatshme për të ushtruar një valë të re gjenocidi mbi shqiptarët.
Paralajmërimi e krijimit të ushtrisë së Kosovës ia shuan këtë ëndërr dhe mbase ndikon edhe në vetëdijesimin e saj që gradualisht t’i kthehet vetvetes dhe problemeve të saja, duke i zvetënuar idetë shoviniste e hegjemoniste me të cilët është udhëhequr për më shumë se një shekull e gjysmë.
Vetëdijesimi i Serbisë, pastrimi i sajë nga idetë fashiste e hegjemoniste në regjion është kushti themelor për paqe të qëndrueshme dhe perspektivë për mbarë regjionin.
Serbia është frenuesja kryesore e proceseve përparimtare në regjion. Ajo duhet të gjykohet për krimet e gjenocidit ndaj shqiptarëve. Gjykimi i saj ndikon edhe në këndelljen e saj, andaj bërja që të heq dorë nga ambiciet e saj të çmendura do ta fusë përfundimisht edhe atë në rrjedha të zhvillimit të një shteti normal.