TRANSFUZIONI
22 janar 2020
| 13:51
Natasha Sarxhoska
TRANSFUZIONI
e mbaja dorën tënde
të shpuar me gjilpërë
merrje gjak të huaj
nga qesja plastike
që e ngrohnim në prehër
duke pyetur se e kujt është
ti futeshe në sistemin e gjakut
unë të jepja shpresë
dikur moti ti e mbaje dorën time
dhe tjetrën ma fusje në gojë që ta kafshoj
për të mos klithur nga dhimbja
sepse me brisk po ma prisnin lëkurën e djegur
nga çokollata e parë që e shkrirë në shtëpi
tani është vyshkur jonxha
tatuazh në pëllëmbën tënde
horizontet të zhduken nga pamjet
zhduket edhe shikimi yt
edhe copëzat e imta nga unë
në ty vdesin:
më thanë
ta lexoj librin e tibetit
për jetën dhe vdekjen
që të përshëndetem
por ishte vonë, shumë vonë
(Përktheu nga maqedonishtja: Shkëlzen Halimi)