Transmetuesi publik suedez ua ndalon punonjësve përdorimin e ‘TikTok’-ut
Radio Televizioni Publik i Suedisë (STV) njoftoi se ua ka ndaluar punonjësve të përdorin aplikacionin kinez, “TikTok”, në telefonat e tyre të punës për arsye sigurie.
“Departamenti i sigurisë ka zbuluar që aplikacioni ‘TikTok’ shpalos më shumë informacione sesa ajo që konsiderohet e nevojshme”, ka shkruar “SVT” në faqen e saj të internetit.
Stafi është informuar për vendimin përmes postës elektronike.
“TikTok” ka rreth një miliard përdorues, kryesisht adoleshentë që bëjnë shpërndarjen e videove të shkurtra, shpesh të shoqëruara me muzikë.
Por, ky aplikacion është bërë pjesë e tensioneve gjeopolitike.
Në fund të qershorit, India njoftoi se po ndalonte 59 aplikacione kineze, përfshirë “TikTok”, pas një rritje të tensioneve me Kinën në një zonë kufitare.
Në ShBA, presidenti, Donald Trump, ka pohuar se “TikTok” mund të shfrytëzohet nga Kina për të gjetur vendndodhjet e punonjësve federalë, pastaj të ndërtojë dosje për shantazhe ndaj njerëzve dhe të kryejë spiunazh të korporatave, raporton “AFP”.
Trumpi ka nënshkruar vendimin që u ndalon kompanive amerikane të bëjnë biznes me këtë aplikacion.