Transporti rrugor u dëmtua 50 milionë euro

16 maj 2020 | 08:12

Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj, ka thënë se transporti rrugor është duke u dëmtuar nga moskoordinimi institucional në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Sipas tij, ky moskoordinim është duke e dëmtuar industrinë e transportuesve, porse është duke e rrezikuar edhe jetën e qytetarëve në sajë të funksionimit të taksive ilegale. “Gjendja në sektorin tonë është mjaft e vështirë. E kam potencuar se është duke u zhvilluar transporti ilegal me vetura dhe kombibus, përderisa transporti i rregullt me autobus është i ndaluar me vendim të veçantë. Pra, kemi të bëjmë me transport ilegal, që është transport i egër dhe kjo u dëshmua me anë të një video që po qarkullon në media, ku shihet se si qarkullojnë kombibusët me numër të mbipopulluar të udhëtarëve brenda kombibusëve dhe as që bëhet fjalë për distancë fizike e masa mbrojtëse. Prandaj, qeveria, gjegjësisht Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, duhet të lejojë transportin ndërurban, urbanoperiferik, urban e rajonal dhe t’i bëjë të qarta rregullat dhe masat me anë të të cilave do të operonin operatorët me autobus dhe më pas do të jetë shumë e lehtë që të menaxhojnë kompanitë transportuese nëse nuk i përmbahen rregullave, pasi transportuesit legalë janë të licencuar, kanë menaxherë përkatës, kanë licenca dhe certifikata të autobusëve dhe operojnë sipas ligjit për transport rrugor”, ka thënë Kurtishaj për gazetën “Epoka e re”.

Sipas tij, humbjet prej ndaljes së qarkullimit për transportuesit rrugorë kapin shifrën e miliona eurove. “Akoma s’është bërë një analizë e saktë e dëmit që është shkaktuar, por dëm për mosdaljen në vendet e punës, e që po flasim për afërsisht 2 000 mijë autobus, duke përfshirë amortizimin e tyre dhe skadimin e afatit të sigurimit e regjistrimit, kurse 10 mijë të punësuar direkt që e kanë një rrogë mesatare nga 350 euro e që është edhe më e lartë në llogaritje bëjnë 3 milionë e 500 mijë euro dhe kur llogarisim dy muaj vetëm për paga të tyre, janë 7 milionë euro vetëm paga për të punësuarit. Ndërkaq, dëmi në total, në bazë të një përllogaritje të thjeshtë, del se është afërsisht 50 milionë euro, mirëpo akoma s’mund të flasim saktësisht për dëmin e shkaktuar pa kaluar pandemia dhe pa u marrë për bazë të gjitha kalkulimet nga të gjithë operatorët, pasi tani asnjë kompani s’është duke punuar për ta nxjerrë një analizë të saktë, porse dëmi i përafërt është deri në 50 milionë euro”, u shpreh ai

Albulena S. MAVRAJ

“Epoka e re”: Si është momentalisht gjendja e transportuesve rrugorë?

Kurtishaj: Gjendja në sektorin tonë është mjaft e vështirë. E kam potencuar se është duke u zhvilluar transporti ilegal me vetura dhe kombibus, përderisa transporti i rregullt me autobus është i ndaluar me vendim të veçantë, pra kemi të bëjmë me transport ilegal që është transport i egër dhe kjo u dëshmua me anë të një video që po qarkullon në media, ku shihet se si qarkullojnë kombibusët me numër të mbipopulluar të udhëtarëve brenda tyre dhe as që bëhet fjalë për distancë fizike e masa mbrojtëse. Prandaj, qeveria, gjegjësisht Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, duhet ta lejojë transportin ndërurban, urbanoperiferik, urban e rajonal dhe t’i bëjë të qarta rregullat dhe masat me anë të të cilave do të operonin operatorët me autobus dhe më pas do të jetë shumë e lehtë që të menaxhohet me kompanitë transportuese nëse nuk u përmbahen rregullave, pasi transportuesit legalë janë të licencuar, kanë menaxherë përkatës, kanë licenca dhe certifikata të autobusëve dhe operojnë sipas ligjit për transport rrugor.

Ne e kuptojmë se primare është ruajtja e shëndetit gjatë pandemisë, andaj me këtë transport ilegal të kombibusëve e veturave që bartin ilegalisht udhëtarët, nuk behët fjalë për mbrojtje të shëndetit nga pandemia, përkundrazi kemi rrezikun e lartë për përhapje të pandemisë.

Duhet të ketë guxim dhe vullnet për të marrë vendime që janë në interes të qytetarëve dhe bizneseve nga ana e institucioneve përgjegjëse .

“Epoka e re”: A keni biseduar me institucionet përgjegjëse për ta adresuar këtë çështje, konkretisht rinisjen e punës?

Kurtishaj: Po, ne i kemi adresuar këto çështje përmes mediave dhe kam pasur takime në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, pasi e njëjta ministri na ka ndalur operimin me anë të një vendimi të veçantë, por nuk kemi marrë përgjigje.

Duhet koordinim institucional, pra në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe IKPSh-së. Praktikisht koordinimi nuk është punë e jona. Adresa jonë për këtë fushë është Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit. Ne ende s’kemi marrë përgjigje zyrtare pasi problemi është mungesa e komunikimit dhe moskomunikimit institucional.

 “Epoka e re”: Sa llogaritet dëmi nga mosoperimi i kompanive të transportit?

Kurtishaj: Akoma s’është bërë një analizë e saktë e dëmit që është shkaktuar, por dëm direkt për mosdaljen në vendet e punës e që po flasim për afërsisht 2 000 mijë autobus, duke përfshirë amortizimin e tyre dhe skadimin e afatit të sigurimit e regjistrimit, kurse 10 mijë të punësuar që e kanë një rrogë mesatare 350 euro e që është edhe më e lartë në llogaritje, bëjnë 3 milionë e 500 mijë euro. Por, kur llogarisim dy muaj vetëm për paga të tyre, janë 7 milionë euro vetëm në pjesën e pagave të punësuarve. Ndërkaq, dëmi në total, në bazë të një përllogaritje të thjeshtë, del se është afërsisht 50 milionë euro, mirëpo akoma s’mund të flasim saktësisht për dëmin e shkaktuar pa kaluar pandemia dhe pa u marrë për bazë të gjitha kalkulimet nga të gjithë operatorët, pasi tani asnjë kompani s’është duke punuar për ta nxjerrë një analizë të saktë, porse dëmi i përafërt është 50 milionë euro.

“Epoka e re”: Në rast se lejoheni të operoni, mund t’u përmbaheni rregullave?

Kurtishaj: Po, sigurisht se po. Ne do t’i marrim praktikat më të mira nga vendet e BE-së, apo ashtu si është duke u operuar sistemi ajror i transportit nga destinacione të ndryshme për Kosovë. Në Itali është duke u zbatuar distanca fizike, duke i përgjysmuar kapacitetet brenda autobusit. Pra, nëse autobusi i ka 60 ulëse, aty mund të udhëtojnë 30 udhëtarë. Paraprakisht, ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit apo MSh duhet të na rekomandojnë – caktojnë një rregull për përdorim të maskave, dorëzave, që të respektohet distanca fizike etj.

Operatorët nuk po kërkojnë përfitime materiale, por ne jemi duke shikuar mundësinë për t’i zvogëluar shpenzimet sa më shumë e për t’i mbuluar humbjet, pra sigurimin e mbijetesës, ruajtjen e vendeve të punës për të punësuarit, asgjë më tepër. Nuk po flas më për nevojat e operatorëve për përfitime, por për nevojat e qytetarëve të cilët i kontaktojnë operatorët çdo ditë dhe pyesin se pse s’po dalin në punë dhe se tregojnë se janë të detyruar t’i përdorin taksitë ilegale me çmime shumë herë më të shtrenjta për shkak të mungesë së transportit të rregullt.

Ne jemi një lloj sandviçi brenda punës sonë, pra presioni nga qytetarët e secilit regjion dhe fshat për të filluar punën, në anën tjetër përballemi me presionin e qeverisë që na ka ndaluar të operojmë dhe kompanitë dhe autobusët e tyre janë jashtë funksionit.

Kur gjithë kësaj i shtohet çështja e mungesës së udhëtarëve, sigurisht se kompani të caktuara s’do të mund ta përballojnë këtë për shkak të kapaciteteve të zvogëluara e që rrjedhimisht numri i qytetarëve ka më qenë dukshëm më i vogël, pra më pak bileta të shitura dhe më pak fitim. Shto këtu panikun i cili është i theksuar. Mirëpo, në këtë rast, kur krijohen humbje, bazuar në Ligjin Nr. 04/ L179, është një nen i veçantë ku flitet për subvencionimin e transportit publik nga ana e ministrisë së linjës, për interesa të qytetarëve, e në këtë rast që është pandemi, atëherë Ministria e Infrastrukturës duhet të nxjerrë legjislacion sekondar nëse ai nuk ekziston apo ka nevojë për ndryshime për të mbështetur apo për ta subvencionuar transportin publik.

“Epoka e re”: Përfaqësuesit e Unionit Demokratik Studentor kanë kërkuar uljen e çmimit për bileta për studentët.

Kurtishaj: Të gjitha këto mund të diskutohen, por problemi kryesor është të kemi një rregull dhe një vendim të Ministrisë së Infrastrukturës. Nëse na lejohet të punojmë duhet t’i kemi të specifikuara gjërat se si duhet të punojmë, flas për distancën fizike dhe ruajtjen e shëndetit. Pasi të marrim sinjale për fillimin e punës do të diskutojmë pastaj edhe për çmimin e biletave për studentë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka folur…