“Trashëgimia kulturore dhe turizmi”, libri më i ri i profesoreshës Alberta Tahiri

31 janar 2025 | 15:43

Prof. asoc. dr. Alberta Tahiri, eksperte në fushën e turizmit dhe trashëgimisë kulturore, profesoreshë e rregullt në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, sot ka dorëzuar në shtyp librin “Trashëgimia kulturore dhe turizmi”, për të cilin Këshilli Botues i Universitetit “Haxhi Zeka” ka dhënë pëlqimin për botim dhe përdorim të logos.

“Ky libër synon të eksplorojë ndërthurjen e ndërlikuar midis trashëgimisë kulturore dhe turizmit, duke analizuar se si këto dy fusha mund të bashkëpunojnë për të krijuar përvoja të pasura dhe të qëndrueshme për turistët, ndërkohë që ruajnë dhe mbrojnë pasuritë kulturore për brezat e ardhshëm. Përmes një qasjeje multidisiplinare, ky studim përfshin perspektiva nga fusha të ndryshme si antropologjia, ekonomia, menaxhimi i turizmit dhe studimet kulturore. Po ashtu, libri synon të ofrojë një kuptim të thellë dhe të gjithanshëm të rolit të trashëgimisë kulturore në turizëm, duke nxitur një dialog të frytshëm ndërmjet studiuesve, politikëbërësve dhe praktikuesve të fushës…”, ka shkruar autorja në parathënien e librit.

Shënime për autoren

Prof. asoc. dr. Alberta Tahiri është eksperte në fushën e turizmit dhe trashëgimisë kulturore. Ka përvojë të gjatë në mësimdhënie, kërkime shkencore dhe trajnime profesionale. Aktualisht është profesoreshë e rregullt në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, në të cilin ligjëron në programet bachelor dhe master, në drejtimet “Menaxhim në Turizëm, Hoteleri dhe Mjedis”, si dhe “Menaxhment dhe Turizëm i Qëndrueshëm”.

Profesoresha Tahiri është e angazhuar edhe në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, në të cilin ligjëron në Fakultetin e Turizmit dhe Ambientit, në programet bachelor dhe master, në “Menaxhim i Hotelierisë dhe Turizmit” dhe “Menaxhimi dhe Inovacioni në Turizëm”.

Me një interes të veçantë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore përmes turizmit, ajo ka publikuar një numër të madh punimesh shkencore në revista ndërkombëtare, të indeksuara në Scopus dhe Web of Science. Artikujt dhe kërkimet e saj fokusohen në lidhjen në mes të trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.

Profesoresha Tahiri ka marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare dhe projekte mobiliteti, duke ndarë njohuritë dhe përvojën e saj për promovimin e turizmit të bazuar në vlerat kulturore. Si trajnere e certifikuar, ajo ka ndihmuar në zhvillimin e qasjeve inovative për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në kuadër të turizmit.

Profesoresha Tahiri ka botuar librat: Menaxhimi në turizëm – qasje teorike menaxheriale (2017) dhe Turizmi i qëndrueshëm (2022). Libri i saj Trashëgimia kulturore dhe turizmi paraqet përkushtimin dhe njohuritë e saj në këtë fushë, duke ofruar një udhërrëfyes të vlefshëm për studentët dhe profesionistët që synojnë të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit kulturor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ia ka dhënë në shfrytëzim Ministrisë së…