TRE ARMIQTË E ALBIN KURTIT

13 dhjetor 2024 | 13:06

Shkruan: Hajdin Abazi

Atë që e kishte thënë vazhdimisht e artikuloi së fundmi me cilësim krejt të pazakontë: i tregoi cilët janë penguesit kryesor të suksesit të tij si kryeministër. Gjithçka kumbonte sikur të thoshte: këta janë armiqtë e brendshëm të partisë e të klasës (nuk do mend edhe të lidhur me armiqtë e jashtëm).
Ai këtë e bëri në një event partiak, më 8 dhjetor, fill pasi partia e rinominoi (për befasinë e askujt) kandidat për kryeministër. Tërë pompozitet dhe dramacitet, ai i përcaktoi tre armiqtë e tij, të partisë e të qeverisë Kurti: mediat, opozitën dhe drejtësinë.
Për ata që nuk e dinë, këto që ai i cilësoi si armiq janë tri shtyllat themelore të demokracisë, pa të cilat nuk ka as shtet ligjor, rend parlamentar e liri të fjalës.
Përse i targetoi pikërisht këta si armiqtë e progresit, zhvillimit dhe përforcimit të shtetit?
Kurti flet me përgjithësime për mediat, kurse, ç’është e vërteta, janë një grusht mediash e gazetarësh, ata të cilët kryeministri i ka në thumb. Dhe shkaku është një i vetëm: pse po ia zbulojnë abuzimet, kapjen e shtetit, nepotizmin, korrupsionin, aferat e skandalet e njëpasnjëshme. Në konceptin e tij, këtë e bëjnë vetëm ata që janë “armiq” ose “të shitur”. Dhe theksin e vë te ata që kësisoj e godasin atë, partinë dhe qeverinë e tij. Goditjet e tilla janë gabim, sepse mediat e gazetarët bënin mirë kur denonconin qeveritë e tjera, por jo edhe kur këtë e bëjnë ndaj regjimit të Kurtit. Këta, për të qenë në vijë, duhet ta qepin, të heshtin dhe, me gjithë qejf, hapur ose në mënyrë të kamufluar, të bëhen leva të partisë e të Kurtit dhe propagandën e tij ta paraqesin si realitet. Mendimi kritik, transparenca, denoncimet duhet t’u drejtohen opozitës, sepse ata janë e keqja (ani se qe pesë vite nuk janë në pushtet)! Me një fjalë, kryeministri u tha mediave: nëse vazhdoni t’i zbuloni skandalet e regjimit tim, ju shndërroheni në armiq! (Dhe vetëm që nuk i rrodhi nga goja pohimi: do te ju fus në burg!).
Për opozitën dihet. Kur Kurti ishte në opozite kishte të drejtë të hidhte gaz lotsjellës, të bëhej xhurulldi në parlament, të gjuheshin me veze, e të etiketoheshin ata që ishin në pushtet. Kurse tash kur ai është në pushtet – opozita duhet të tregohet e moderuar, t’i duartrokasë dhe ta mbështes në gjithçka – nëse dëshiron të tregohet konstruktive. Dhe argumenti i vetëm është se ai është kryeministër. Por opozita nuk po e bën pikërisht këtë. Ajo me mjete parlamentare dhe në rrugë ligjore po e kryen misionin e vet demokratik në frenimin e ngulfatjes dhe metamorfozimit të rendit demokratik. Opozita po mendon se me dërgimin në Kushtetuese të ligjeve – të pengojë shpërfytyrimin e drejtësisë dhe të infiltrimit të nuancave autokratike që e minojnë demokracinë. Pikërisht këtë pushteti i Kurtit po e sheh si pengesë të progresit të pushtetit të tij. Dhe për aq kohë sa opozita do të veprojë kështu, është jo vetëm penguese, por edhe armik e përtej armikut.
Po drejtësia? Atë kaherë Kurti e ka shpallë të kapur – nga ata që nuk janë në pushtet qe pesë vjet! Në të vërtetë, Kurti ka bërë çmos për ta kapur drejtësinë, por ende nuk ka arritur në masën që i duhet. Gjuha e tij tingëllon sikur po ju thoshte se ju jeni kolaboracionistë, me klasën e përmbysur. Bëjnë mirë kur ngrisin akuza ndaj të tjerëve, por gabojnë kur e bëjnë këtë ndaj njerëzve të Kurtit. Ata po e luftojnë Kurtin, partinë e qeverinë – vetëm pse nuk po veprojnë sipas propagandës së tij, nuk po i bëjnë yrysh atyre ndaj të cilëve po i ndërsen kryeministri. Çfarë fakte të tjera duan ata, a nuk ju mjafton që po e thotë kryeministri? Duke u përpjekur me veprua sipas procedurave ligjore dhe në përputhje me faktet (dhe pikërisht kur veprohet kështu), ata bëjnë shkelje të rëndë: nuk e përfillin vullnetin e kryeministrit – ti burgosin ata që dëshiron Kurti e ky është fakt i mjaftueshëm! Duke mos bërë kështu, ata shndërrohen në armiq të njëmendtë të kryeministrit, duke e penguar (për aq sa e pengojnë) abuzimin në emër të drejtësisë.
Pak a shumë, ky është nënteksti i asaj që Kurti i shpalli mediat, opozitën dhe drejtësinë si taborre armiqësore, që kolaborojnë mes vete për të frenuar, penguar e stagnuar marshin triumfal të Kurtit, ashtu që edhe diktatorët t’ia kishin zili.
Kryeministri Kurti qeverisë në një shtet me kushtetutë që e ka në themel demokracinë, por në emër të saj i shpall armiq dhe i lufton pikërisht përbërësit relevantë të lirisë e tolerancës në rendin demokratik.
Dhe, jo vetëm kaq. Kurti po përgatitet të hidhet në kundërsulm. Me “Byronë për pasurinë e pajustifikueshme”, po qe se kjo hyn në fuqi, do t’i shantazhojë e intimidojë eksponentët kritik ndaj tij. Ai këtë po do ta përdorë si instrument kundër armiqve që i deklaroi, e jo për t’ua konfiskuar pasuritë e pajustifikueshme kujtdo qoftë, pa dallim dhe të faktikuar.
Pasi i deklaroi armiqtë të brendshëm, po e mpreh shpatën për t’u hedhë në luftë hakmarrëse të klasës. A do ta lejojë këtë drejtësia, opozita dhe mediat? A do ta tolerojnë ata që na kanë ndihmuar ta bëjmë demokracinë?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe Kombëtarja e Shqipërisë në futboll ka mësuar grupin për…