Tre derbi në ligat evropiane: Napoli-Milan, City-Liverpool dhe Bayern-Dortmund
Në Serie A, ndeshja e fundjavës është ajo mes Napolit dhe Milanit të cilët do të përplasen së bashku të dielën mbrëma në orën 20:45 në “Maradona Stadio”.
Napoli kryesues do të tentojë sigurisht vetëm fitoren për të mos prishur as planet matematikore të fitimit të “Scudetto”-s. Milani nga ana tjetër do të jetë gjithashtu luftues për të siguruar një vend në top-treshe. Inter do të zbresë në fushë ditën e shtunë në “San Siro” kundër Fiorentinës, me “zikaltërit” që duan të lënë pas humbjet në kampionat dhe të vazhdojnë me rezultatet pozitive për t’u përgatitur në sfidat e vështira si ajo ndaj Juventusit në Kupën e Italisë dhe atë mes Benfikës në Ligën e Kampionëve.
Në Premier Ligë e gjithë vëmendja është të përplasja e titanëve, ajo mes Manchester City dhe Liverpoolit. Edhe pse City është superior mbi Liverpoolin, gjithmonë kjo ndeshje dhuron spektakël dhe gola nga të dyja skuadrat. Skuadra e Guardiolës do të tentojë për herë të fundit të ushtrojë presion mbi Arsenalin, por “Topçinjtë” duken të sigurt në hapat që hedhin. Gjithashtu në këtë ditë, Chelsea do të sfidojë në “Stamford Bridge” ekipin e Aston Villa, ndërsa të dielën, Newcastle dhe Manchester United do të mbyllin javën. Gjermania është bërë gati për të parë një përballje kokë më kokë ditën e shtunë në orën 18:30. Bayern Munich do të presë në shtëpi rivalët historik të Borussia Dortmund. Të dyja klubet janë në përballje me njëra tjetrën në luftën për të fituar kampionatin gjerman. Aktualisht, Dortmundi ndodhet në vendin e parë me 53 pikë, ndërsa Bayerni në vendin e dytë me një pikë më pak.
Kjo ndeshje do të jetë e jashtëzakonshme, ku gjithashtu mund të jetë vendimtare për fitimin e trofeut. Në La Liga të Spanjës, ditën e shtunë, Barcelona do të niset drejt Elches për t’u ndeshur ndaj tyre. Real Madrdi dhe Atletico Madrid do të zbresin në fushë ditën e dielë, me “Los Blancos” të cilët do të presin në Bernabeu ekipin e Valladolid, ndërsa “Colchoneros” do të presin Real Betis.