Tre durrsakë në pranga, me kompjuter u vidhnin para të huajve që rezervonin hotele
Policia e Durrësit ka goditur një veprimtari kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik, teksa 3 persona janë vënë në pranga. Ata akuzohet se klononin karta bankare, kryesisht të shtetasve të huaj, duke përfituar shumën 84 mijë euro.
Operacioni policor i koduar “BOOKING” u finalizua nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
”Pas një hetimi disamujor u siguruan prova bindëse për veprimtarinë kriminale të tre shtetasve, për të cilët Prokuroria urdhëroi ndalimin e tyre, konkretisht: B. G., 43 vjeçe, S. G., 24 vjeçe dhe M. B., 31 vjeç, banues në Durrës. Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përfituar shumën 84.000 euro, nëpërmjet kartave të klonuara, duke mashtruar shtetas të huaj që kryenin rezervime në hotele për turizëm”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”. /Ora News.tv/