Tre fshatra të Podujevës, të izoluar

17 mars 2020 | 10:43

Tre fshatra të Komunës së Podujevës janë në karantinë që nga dje, meqenëse banorët e këtyre fshatrave dyshohet se kanë pasur kontakt me një prej të infektuarve me koronavirus.

Për gjendjen në këtë komunë ka folur specialistja Bedrie Rama, e cila është pjesë e Shtabit të Emergjencës. Në një prononcim për Express, Rama ka thënë se mbrëmë nuk kanë pasur ndonjë rast të ri të dyshuar, derisa gjatë ditës thotë se është përcjellë për në Infektivë një familjar i të infektuarit nga Podujeva. Sipas saj, i infektuari ka pasur kontakte me shumë njerëz. Deklaron se janë duke i testuar të gjithë personat me të cilët ka pasur kontakt dhe se do t’i testojnë të gjithë. “Gjendja sot është e mirë. E kemi nën kontroll. Nuk ka pasur ndonjë rast të ri të dyshuar. Përveç dje, që e kemi përcjellë në Infektivë prindin e të infektuarit me koronavirus, meqenëse ka pasur simptoma. I infektuari ka pasur kontakte shumë me njerëz, sepse është familje shumë e madhe. Por, jemi duke i identifikuar ata me të cilët ka pasur kontakt. Jemi në kontakt edhe me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Nëse shohim ndonjë rast të dyshimtë do ta testojmë menjëherë. Tri fshatra po vazhdojnë të qëndrojnë në karantinë”, ka thënë Rama.

IKShP-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbajnë distancë nga njëri-tjetri dhe mos të dalin jashtë, përpos për ndonjë rast emergjent. “Në këtë situatë vetëdija dhe ndihma juaj është e domosdoshme. Mbani distancë nga tjetri. Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ndiqni rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”, thuhet në njoftimin e IKShP-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mu kujtua fëmijëria, kur zgjimi në mëngjes ishte i lehtë…