Tre javë më parë iu bashkua ushtrisë ukrainase, modelja braziliane vritet nga forcat ruse
Një modele braziliane ka ndërruar jetë pasi një raketë ruse sulmoi vendin ku ndodhej bunkeri i saj. 39-vjeçarja, Thalita do Valle, iu bashkua ushtrisë së Ukrainës si snajperiste vetëm tre javë më parë.
Ajo kishte qenë në misione humanitare në mbarë botën dhe më parë, madje kishte luftuar edhe kundër ISIS-it në Irak.
Mediat e huaja shkruajnë se Thalita do Valle vdiq më 30 qershor në një sulm me raketa ruse në qytetin e Kharkiv, në rajonin veri-lindor të vendit të shkatërruar nga lufta.
Sulmi çoi gjithashtu në vdekjen e ish-ushtarit të ushtrisë braziliane, Douglas Burigo, 40 vjeç, i cili u kthye në bunker për të gjetur Thalitën. Ajo ishte e vetmja pjesëtare e trupave që mbeti atje pas sulmit të parë me raketa.
Modelja kishte marrë trajnime për përdorimin e snajperit ndërsa iu bashkua forcave të armatosura ushtarake të rajonit të pavarur Kurdistan të Irakut. Thalita gjithashtu studionte në Drejtësi dhe mori pjesë në shpëtimin e kafshëve me Organizata Joqeveritare dhe punoi si modele dhe aktore kur ishte më e re.
Vëllai i saj Theo Rodrigo Viera e përshkroi atë si një heroinë me vokacion për të shpëtuar jetë dhe për të marrë pjesë në misione humanitare.