Tre karateistët tregojnë pse e braktisen Kosovën për Shqipërinë
Tre karateistët kryesorë të Kosovës, Alvin Karaqi, Orges Arifi dhe Blodin Pakashtica, e kanë arsyetuar braktisjen e vendit të vet për Shqipërinë, duke e akuzuar Federatën e Karatesë së Kosovës për padrejtësi ndaj tyre dhe për shkatërrimin e këtij sporti në vend.
Ata janë ankuar se Federata e Karatesë e Kosovës (FFK) nuk ua kishte plotësuar kushtet për pjesëmarrje në gara evropiane, madje duke e akuzuar atë që ua kishte shuar ëndrrën për pjesëmarrje në Lojëra Olimpike duke mos i dërguar në garat kryesore evropiane për grumbullimin e pikëve të nevojshme olimpike për qëllimin e tyre. Në një komunikatë të përbashkët për media, kjo treshe që në fundjavë vendosi ta përfaqësojë Shqipërinë në vend të Kosovës, pretendon se karateja në Kosovë është drejt shuarjes.
Komunikata e plotë e Karaqit, Arifit dhe Pakashticës pa ndërhyrje:
Ne tre garuesit e Kosovës që ditët e kaluara kemi braktisur Kosovën dhe i jemi bashkuar Shqipërisë me këtë komunikatë i drejtohemi opinionit publik jo vetëm për të sqaruar arsyet që na detyruan të braktisim Kosovën por njëkohësisht po shpresojmë se mekanizmat relevant sportiv në Kosovë do të bëjnë diçka që të shpëtojnë karatenë e cila është në fazë të degradimit total në Kosovë. FKK është nën udhëheqjen e një grupi të njerëzve që fatkeqësisht me keqardhje themi se i ka minimizuar në tërësi potencialin këtij sporti dhe sportistëve të saj në Kosovë.
Në periudhën 2015-2016 ne ishim pjesë e ekipit që Kosovës i solli 10 medalje seniorë të nivelit botëror nga: Kampionati Botëror, Gara Evropiane për Regjione, Premier Liga, Kupa Botërore dhe ajo Ballkanike. Që nga ardhja e grupit aktual në krye të FKK më 2016 e deri në ditën e sotshme janë fituar vetëm 5 medalje ne seniorë (3 Ballkanike 2 Premier Ligë) dhe për ironi edhe këto të gjitha janë nga ekipi ynë. Në një shoqëri normale për këto të arritura ne të paktën do të respektoheshim por në Kosovë ne i jemi nënshtruar një trajtimi tërësisht të urrejtjes dhe hakmarrjes primitive që është tërësisht e pakuptueshme.
Ne të tretë jemi ende në top 50shen më të mirë ne botë kurse më parë ishim të ranguar edhe në 5shën dhe 20shen e më të mirëve në botë. Neve nga këta njerëz na është mohuar e drejta dhe në mënyrë sistematike na është minimizuar shansi për të fituar normën olimpike e qe ka qene dhe mbetet ëndërr e të gjitha gjeneratave të karatesë së Kosovës.
Është e gjatë lista e veprimeve që na detyruan të braktisim Kosovën por ne po përmendim vetëm disa:
Asnjëri prej nesh nuk është dërguar në 7 gara tejet të rëndësishme dhe të domosdoshme për arritjen e normës olimpike. Humbëm shumë pikë sepse kështu deshën ata që drejtojnë karatenë e Kosovës
Na kanë dërguar në gara luftarake të karatesë me autobus nga Prishtina në Roterdam, Paris, Berlin dhe Salzburg. Kur kemi hy në tatami kemi qenë të dërmuar nga rruga më shumë se nga lufta. Kjo nuk është bërë për mungesë mjetesh por kryesisht për qëllime të përfitimit personal të individëve në FKK
Qëllimshëm nuk janë shfrytëzuar mjetet e ndara nga Komiteti Olimpik për kampe ndërkombëtare dhe këto mjete janë humbë
Ne na detyruan që në disa gara të shkojmë me mjete vetanake.
Sekretari i përgjithshëm Nazmi Gashi bashkë me selektorët Isak Curri dhe Ylber Syla ikën nga ne (Orges Arifi dhe Alvin Karaqi) në aeroportin e Madridit në kthim nga Kampionati Botëror dhe na lan pa biletë kthimi, pa na pyetur se a kemi të holla për ushqim apo çfarëdo akomodimi. Askush asnjëherë nuk është interesuar se si jemi kthyer apo si kemi kaluar. Ka kaluar mbi një vit dhe ende nuk na kanë kompensuar as për biletat e paguara nga xhepi ynë (EUR840)
Ekziston një tretman i çuditshëm hakmarrës ndaj të gjithë garuesve të Ipponit. Nuk janë respektuar kurrë kampionët e Kosovës nga ekipi ynë Ipponi kurse garuesit më të mirë e që janë nga klubi jonë janë vazhdimisht nënpresion.
Në gara ndërkombëtare sjellje e zyrtarëve të FKK ndaj nesh është tërësisht armiqësore. Një përzierje e urrejtjes me xhelozi me shpresë të hapur se ne do të dështojmë dhe motivim zero nga ata që të paktën do të duhej të na motivonin dhe të kujdeseshin për aftësitë tona psikologjike dhe fizike. Askund në botë nuk ka Federatë sportive që i frikësohet suksesit të sportistëve të vet dhe me të gjitha metodat i lufton ata.
Në vend se të shpërblehej është dënuar trajnerja jonë e klubit pa faj dhe pa respektim të procedurave nga ana e Komisionit Disiplinor të FKK
Selektori Isak Curri ndaj Alvin Karaqit (i vetmi që përfaqësonte Kosovën në Lojëra Evropiane) publikisht ka shprehur mllefin vetëm se Alvini ka kërkuar që në Minsk me të të udhëtoj trajnerja e tij e klubit (hakmarrjen e ka paralajmëru publikisht ne mjete te informimit) dhe e ka implementuar me anashkalim total të Alvinit.
Çfarë absurdi: dënimi i Alvin Karaqit nga ana bordit te FKK me kërkesë të Isak Currit kurrë nuk është dhënë me shkrim por vetëm verbalisht dhe si i tillë dënimi është ekzekutuar. Ky veprim tregon nivelin që kemi ra si disiplinë sportive.