Tre milionë euro për shqiptarët e Luginës, falënderime dhe kritika
Në buxhetin e vitit 2024 të Kosovës janë paraparë tre milionë euro për Luginën e Preshevës, një milion më shumë sesa sivjet.
Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, është shprehur falënderues për këtë buxhet, por prapë nuk e ka kursyer kryeministrin nga kritikat, përfshirë edhe politikanët që punojnë me të e janë nga Lugina.
Një ndër ta është edhe Ragmi Mustafi, pjesë e PVD-së, i cili akuzat e Arifit i cilëson tendencioze dhe të pabaza.
Vitet e fundit rrallëherë deklaratat e kryetarit të Preshevës kanë qenë në vijë me politikat e Albin Kurtit.
Megjithatë, Shqiprim Arifi e ka falënderuar kryeministrin, në qeverisjen e të cilit për vitin 2024 janë ndarë 3 milionë euro për Luginën e Preshevës.
Por nga 15 rreshtat dedikuar Qeverisë së Kosovës, 11 të tjerët Arifi i ka prapë kritika e akuza, madje edhe për korrupsion.
Ai akuzon politikanët që përfaqësojnë Luginën për zhvatje të fondeve të vitit të kaluar.
Ragmi Mustafi, i cili përmendet në akuzat e kryetarit të Preshevës, kritikat i cilëson të pabaza dhe tendencioze.
“Kritika vazhdimisht do të ketë, por një pjesë e mirë e tyre kanë qenë për të pamundësuar mundësinë e buxhetimit të ardhshëm, pra për të pamundësuar që Qeveria e Republikës së Kosovës të përkujdesjet për shqiptarët e atjeshëm”, ka thënë kryetari i PVD-së, Ragmi Mustafi.
Mustafi thotë se edhe këtë vit mbi 255 mijë euro nga ky buxhet shkojnë për financimin e librave shqip për filloristët shqiptarët që jetojnë në Serbi.