Tre muaj aftësim për policët, ekspertët thonë se është e pamjaftueshme

30 qershor 2024 | 23:08

Nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike, çdo vit diplomojnë qindra policë.

Por, periudha e aftësimit që bëjnë brenda këtij institucioni përgjatë tre muajve, po konsiderohet e pamjaftueshme.

Madje, sipas ish instruktorit, Hajrullah Tërnava, i cili trajnoi për vite të tëra në Policinë e Kosovës, policët nuk po mund të profesionalizohen.

“Tash mjerisht shkollë nuk po ekziston, po ekzistojnë kurse, ato janë dy,tre muaj ditë, për aq kohë të shkurt polici nuk mund të arrijë sikurse qysh ka qenë me herët akademia e policisë 4 vjeçare. Mirëpo. në atë kohë me 4 policë nuk ka pas shansë dy policë me arrestu njërin se ai që ka kundërshtuar veç njëri e ka përvetësua dhe ka shoqëruar ku duhet”, thotë Hajrullah Tërnava , ish- instruktor i Policisë së Kosovës.

Fajtor për këtë Tërnava lë edhe punësimet pa merita në institucionet kyçe të sigurisë.

“Që i qesin njerëzit që nuk e din çka është policia, nuk e dinë çka është ai shërbim ku emërohet eprori me i lartë. Prandaj, po them që të angazhohen njerëz nga qeveritë, por le të qesin personat që janë ekspert i lëmive”, shprehet Tërnava.

Që policët të jenë sa me profesional, ish-nënkoloneli i Policisë, Refki Morina kërkon që të bëhen trajnime me programe të reja.

“Policët, gjeneratat e reja duhet të ushtrohen vazhdimisht me programe të reja, dhe të plotësojnë programin e tyre, në mënyrë që edhe policët e rinj çdo kryerës të veprës penale të arrestojnë në mënyrë më profesionale”, thotë Morina.

Në muajin prill, kanë diplomuar 455 kadetë të gjeneratës së 59-të Policisë së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtëpia e Miradije Bytyçi-Berishës në kohë të luftës u shndërrua…