Tre muaj asnjë aplikim, subjektet politike ende nuk kanë dërguar listat e kandidatëve për deputetë

24 nëntor 2024 | 12:00

Ndonëse që nga 1 shtatori i këtij viti është hapur afati për aplikim të certifikimit dhe dorëzimit të listës së subjekteve politike me emrat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk ka pranuar asnjë aplikim.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ai tha se deri më 11 dhjetor të këtij viti të gjitha subjektet politike duhet të dorëzojnë në KQZ, aplikimin e tyre për certifikim dhe listën me emrat e kandidatëve për deputetë.

“Deri më 11 dhjetor të këtij viti, të gjitha subjektet politike pra në këtë rast partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur duhet të dorëzojnë në KQZ aplikimin e tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre të kandidatëve për deputetë. Kjo periudhë ka filluar me datë 1 shtator dhe mund të konfirmoj se deri më tani nuk kemi ndonjë aplikim nga ana e ndonjë subjekti politik”, tha Elezi.

Lidhur me këtë, KosovaPress ka provuar që të marrë përgjigje se kur pritet që subjektet politike të kryejnë këto lloje të “obligimeve për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare”.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një përgjigje me shkrim thonë se lista do të dorëzohet brenda afatit të KQZ-së, porse nuk bënë të ditur ndonjë datë specifike.

E pavarësisht interesimit, deri në publikim e këtij artikulli, KosovaPress nuk pranoi përgjigje nga partitë e tjera politike lidhur me këtë çështje.

Ndërkohë, Elezi potencoi se pas pranimit të aplikimeve, të gjithë personat që duan të certifikohen si kandidatë për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit të institucioneve të ndryshme.

Ai tha se ky është një detyrim ligjor, me qëllim që të vërtetohet nëse kandidatët që garojnë për deputetë janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja shqiptare e vajzave do të zhvillojë një ndeshje miqësore…