Tre muaj pa drejtor të Policisë, Ministria e Brendshme hesht
Me dy nëntor bëhen saktësisht tre muaj prej kur ish drejtori i përgjithshëm i Policisë Samedin Mehmeti ka hequr dorë prej pozitës së tij.
Që nga ajo ditë me institucionin kryesor të sigurisë udhëheq ushtruesi i detyrës Fehmi Hoti.
Ndërkohë, në konkursin e shpallur për këtë pozitë, pretendime për të marrë postin e Drejtorit të Policisë, kanë shfaqur pesë aplikantë.
Përzgjedhjen e tyre për fazën e intervistimit që ende nuk dihet kur do të nisë, do ta bëjë komisioni i themeluar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ndër kandidatët është edhe serbja, Sllagjana Stojanoviq, shefe e administratës në rajonin e Mitrovicës që besohet se kandidimi i saj është bërë që procesi të jetë valid.
Nga ana tjetër pozitën e kreut të këtij institucioni e synon edhe Gazmend Hoxha, Drejtor i Departamentit të Operacioneve, që përballë ka edhe drejtorin aktual të Teknikës Kriminalistike, Bahri Shala.
Përveç tyre pjesë e garës është edhe Fatos Haziri, ish-udhëheqës i Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Granit Fetahu, drejtor për Sigurimin e Objekteve dhe Personaliteteve.
Megjithëkëtë sipas ish drejtorit të Policisë Rashit Qalaj, ky konkurs duhet të anulohet por jo të pronlongohet procesi.
“I kemi katër konkurrentë dhe mendoj që është shumë numër i vogël, po ashtu kemi pas hezitim të gradave të mëdha, të pozitave të rëndësishme, të personaliteteve që janë në policinë e Kosovës të aplikojnë në këtë pozitë. Unë mendoj që kjo tregon shumë pse, dhe mendimi im kryesor është që realisht hetimi i eprorëve të lartë të policisë ka të bëjë me ndërhyrjes që ministri i brendshëm dhe stafi i tij kanë bërë në vazhdimësi prej që janë në pushtet“, ka thënë Rashit Qalaj, deputet i PDK-së.
Ndërkohë, tepër të vonuar përzgjedhjen e drejtorit të ri po e sheh edhe Hajrullah Tërnava që ka qenë zëvendësministër i brendshëm.
“Ajo është dashtë të zgjidhet shumë më herët sepse nuk ka nevojë me shty me muaj, nëse ka kuadro e sigurisht që ka kuadro të shkolluar dhe të aftë për me udhëheq atë post, ish dashtë shumë shpejt brenda dy javë të zgjidhet ky proces”, ka thënë Hajrullah Tërnava.
Urgjente zgjedhjen e një drejtorit të ri të policisë e sheh edhe ish zëvendësministri Valdet Hoxha.
“Në mesin e tyre nuk është as ushtruesi i detyrës të drejtorit të përgjithshëm që po e ushtron këtë pozitë aktualisht, që lë një hije dyshimi se pse ky mos interesim për këtë pozitë e para dhe e dyta pse po vonohet kaq shumë procedura kur jemi nga ana po e quaj jo bash normale sidomos në veriun e vendin tonë ku tensionet dita ditës po shtohen sidomos me hapjen e temës për regjistrimin e targave”, ka thënë Valdet Hoxha.
Ndërkohë, nga ministria në krye Xhelal Sveçlën nuk kanë kthyer asnjë përgjigje në të gjitha pyetjet e Televizionit lidhur me këtë proces./RTV Dukagjini/