Tre nxënës nga shkolla ‘Mehmet Akif’ do të jenë pjesë e garës në Angli për matematikë
Edhe këtë vit nxënësit e shkollës “Mehmet Akif” në Lipjan janë zgjedhur ndër më të mirët e Kosovës në matematikë nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës.
Tre nxënës të kësaj shkolle, Leart Ajvazaj, Viktor Ahmeti dhe Dren Neziri fituan të drejtën për të qenë pjesë e ekipit të Kosovës që do të garojë në Olimpiadën Botërore të Matematikës që do të mbahen në Britaninë e Madhe.
Pas shqyrtimit të secilit test, në prezencë të nxënësit përkatës, Shoqata e Matematikanëve të Kosovës ka njoftuar se është përzgjedhur ekipi qe do ta përfaqësojë Kosovën në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare – IMO 2019, e cila këtë vit organizohet në Bath, Mbretërinë e Bashkuar (United Kingdom), nga 11 – 22 korrik 2019, ku Kosova merr pjesë për herë të nëntë në cilësinë e anëtarit me të drejta të plota.
Në këtë ekip bëjnë pjesë gjashtë nxënës dhe tre nga ta janë nga shkolla “Mehmet Akif”. E për këtë shprehet krenar edhe drejtori i shkollës, Ender Tergip, cili ka thënë se i mbështesin me shumë entuziazëm nxënësit e tyre.
“Në mesin e ekipit që është zgjedhur nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës; Leart Ajvazaj, Viktor Ahmeti dhe Dren Neziri, nxënës të Kolegjit ‘Mehmet Akif’, do ta përfaqësojnë Kosovën në Olimpiadën Matematike ndërkombëtare-IMO 2019. Në këtë garë kolegji jonë merr pjesë për të disatën herë. Kësaj radhe gara do të mbahet në Bath, në Mbretërinë e Bashkuar, që nga data 11 deri më 22 korrik. Si çdo herë shkolla jonë me entuziazëm të madh i mbështet dhe ju gjendet pranë nxënësve, për të qenë sa më të suksesshëm”, ka thënë Ender Tergip.
Nxënësi Dren Neziri shprehet i lumtur që do të përfaqësojë Kosovën dhe ka falënderuar shkollën “Mehmet Akif” për ndihmën e dhënë në mësime.
“Mua Kolegji ‘Mehmet Akif’ me ka ndihmuar shumë në këtë drejtim. Në shkollë përgatitja për këto gara ka filluar nga fillimi vitit. Që atëherë kam marrë mësime shtesë të cilat më kanë hyrë në punë shumë gjatë olimpiadave. Po ashtu në kolegj kam takuar mjaft olimpiadistë që më kanë ndihmuar shumë gjatë rrugës time deri këtu. Përveç këtyre kam pasur edhe një përkrahje të madhe nga nxënësit dhe stafi i shkollës. Tani ekipi është duke u përgatitur për olimpiaden e cila këtë vit mbahet në Angli. Qëllimi im por edhe i ekipit është përfaqësimi sa me i denjë i Kosovës në këto gara dhe popullarizimi i matematikës në trojet shqiptare e veçanërisht në Kosovë”, ka thënë ai.
Por, nxënësit e shkollave ‘Mehmet Akif’ kanë shkëlqyer edhe vitet e kaluara në këtë olimpiadë.
Në vitin 2016, nxënësja Doruntina Sylejmani ka ngritur flamurin e Kosovën në shtetin e largët të Hong-Kong-ut duke fituar medalje të bronztë.
/Epoka e re/