Tre policët e arrestuar dyshohet se nuk reaguan ndaj plaçkitjes në një Qendër Tregtare në Gjilan
Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK) të hënën ka arrestuar tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës në bazë të autorizimit të cilin e ka siguruar nga Prokuroria Themelore e Gjilanit ngase ata dyshohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Policët dyshohen se nuk kishin reaguar për parandalimin e plaçkitjes e cila kishte ndodhur në Qendrën Tregtare “Agmia” e cila gjendet afër kazermës së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe afër objektit të Gjykatës Themelore të Gjilanit dhe objektit të Prokurorisë.
Plaçkitja e armatosur kishte ndodhur javën e kaluar në orët e hershme të mëngjesit ku një grup i personave të maskuar kishin shkatërruar dyert e objektit të Qendrës Tregtare dhe më pas ishin futur brenda duke vjedhur bankomatin i cili i takonte bankës Raiffaisen.
“Inspektorati Policor i Kosovës disa ditë më herët ka ndërmarrë disa veprime hetimore ndaj tre zyrtarëve policorë në Gjilan me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit’. Ndaj të njëjtëve IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit i cili rekomandim është zbatuar nga ana e policisë. Pas këtyre veprimeve hetimore, sot hetuesit e IPK-së me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan kanë arrestuar këta tre zyrtarë policorë me dyshimin se kanë kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar i cili është paraparë me nenin 422 të Kodit Penal të Kosovës. Të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nga prokurori kompetent”, thuhet në njoftimin e IPK-së.