Tre profesorë nga Shqipëria mbajtën ligjërata publike në Universitetin “Ukshin Hoti”
Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, me ftesë të dekanatit të Fakultetit të Filologjisë, të martën kanë mbajtur ligjëratë tre profesorë nga Shqipëria.
Prof. dr. Emil Lafe ka mbajtur ligjëratë me temën “Gjuha letrare shqipe si koine mbarëkombëtare”, prof. dr. Rami Memushaj ka mbajtur ligjëratë me temën “Noam Çomski dhe revolucioni i tij në gjuhësi”, ndërsa prof. dr. Kujtim Kapllani ka mbajtur ligjëratë me temën “Vepra shkencore e Androkli Kostallarit”.
Ligjëratat e dy profesorëve të fundit ishin më të shkurta për shkak të kohës së kufizuar dhe premtuan që gjatë muajit shkurt të vitit të ardhshëm të vijnë edhe një herë për t’i mbajtur më gjerësisht ligjëratat e tyre.
Ligjërata e prof. dr. Emil Lafe me temën “Gjuha letrare shqipe si koine mbarëkombëtare” mori kohën më të gjatë dhe ishte mjaftë përmbajtjesore që nxiti edhe kureshtjen e studentëve dhe mësimdhënësve të UPZ-së.
Dekani i Fakultetit të Filologjisë, prof. dr. Shkëlqim Millaku, i ka falënderuar profesorët nga Shqipëria për ligjëratat e mbajtura dhe ka theksuar se për studentët dhe mësimdhënësit e UPZ-së është një nderë i veçantë që të kenë mysafirë profesorë të këtij rangu.
Dekani Millaku në fund u ka ndarë mirënjohje tre profesorëve nga Shqipëria.
/Epoka e re/