Tre qytetarë arrestohen pasi sulmuan njësinë e Policisë së Trafikut në Gjakovë
Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Sinjali mëson se një rast i tillë ka ndodhur sot në lagjen Brekoc të Gjakovës, ku një njësi e Policisë së Trafikut, dyshohet se janë sulmuar nga disa qytetarë.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili tha për Sinjalit se gjithçka ka ndodhur teksa zyrtarët policorë ishin duke shqiptuar gjobë për kundërvajtje në trafik.
Elezaj tha se të dyshuar janë tre persona, të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
“Sot rreth orës 09:25 në rrugën ” Martirët e Lirisë” në Gjakovë, derisa zyrtarët policorë ishin duke shqiptuar një gjobë për kundërvajtjet në trafik, janë sulmuar nga tre persona të moshës madhore të revoltuar për shqiptimin e gjobës. Të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit të shtetit janë ndalur në mbajtje për 48 orë. Është iniciuar rast “Sulm ndaj personit zyrtar”, tha ai.