TRE RANË, ME MIJËRA U NGRITËN!

17 janar 2019 | 10:56

Lulëzim ETEMAJ

37 vite më parë, më 17 janar 1982, u vranë në Untergruppenbach të Gjermanisë nga UDB-ja jugosllave Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, tre nga prijësit krysor të Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare të Kosovës.

Vrasja e tre heronjve ndodhi pikërisht në kohën kur ata, duke qenë se vepronin në dy organizata të ndryshme politike kombëtare, ishin në prag të bashkimit në një Lëvizje të përbashkët, e cila për qëllim kryesor e kishte luftën me të gjitha mjetet, politike dhe ushtarake, për statusin e Republikës së Kosovës, si zgjidhje kalimtare drejtë bashkimi me shtetin amë- Shqipërinë, si jetësim i qëllimit kryesor të Lëvizjes Irredentiste Shqiptare të shqiptarëve të mbetur jashtë Shqipërisë, e cila prijës kryesor, jo vetëm shpirtëror, e kishte heroin Adem Demaçi, i cili në këtë kohë po e vuante dënimin e tretë prej 15 vitesh burgim të rëndë.

Vrasja e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallësishte një nga goditjet më të rënda të Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare të Kosovës. Por, në anën tjetër, kjo vrasje, krahas pezmit dhe indinjatës, i dha impulse të reja shumë të fuqishme zgjimit të vetëdijës kombëtare tek shqiptarët dhe angazhimit të tyre, ndërsa për bashkëveprimtarët e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Jusuf Gërvallës u shëndërrua në motiv shtesë dhe në forcë për të arritur një muaj më vonë, më 17 shkurt 1982, gjer tek akti final i bashkimit mbi themelet e vëna nga heronjtë- në Lëvizjen për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ).

12 vite më vonë, më 17 nëntor 1994, pasuesja e LRSSHJ, Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) e themelon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me ç’rast u lëshua komunikata e parë ushtarake, ajo me numër 11, lufta e së cilës, falë edhe mbështetjes së aleatëve strategjik të Kombit tonë, SHBA-ve, dhe partnerëve tjerë të NATO-s, që ndërhynë edhe me sulme ajrore kundër forcave ushtarake, policore dhe caqeve tjera strategjike të Serbisë, çoi në çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999 dhe shpalljen e saj shtet i pavarur dhe sovran nga deputetët e Kuvendit më 17 shkurt 2008.

“TRE RANË, ME MIJËRA U NGRITËN”, ky ishte kryeartikulli i numrit 3 i organit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Visave tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), “Zëri i Kosovës”, i botuar pas vrasjes së heronjve, në mars të vitit 1982. Artikullit i paraprinë përkushtimi jetësorë i Jusuf Gërvallës: “…..Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s`do të ketë forcë, që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme”.

Pas njëzet vitesh qëndrimi ne dhe të huaj, Kosovës iu kthyen për t’u rivarrosur eshtrat e heronjve të saj Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Kosova tashmë ishte e lirë, porse e politizuar skajshmërisht dhe tepër e përçarë politikisht. Pasojat e kësaj përçarjeje politika e Kosovës i detyroi t’i vuajnë edhe heronjtë. Ata që i kishte bashkuar ideali, poashtu dhe vdekja, që në varret e huaja kishin qëndruar poashtu pranë e pranë njëri- tjetrit, më 24 shkurt 2002 i ndau politika përçarëse e Kosovës, për t’i varrosur ndaras, Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën në varrezat e fshatit Dubovik (komuna e Deçanit), ndërsa Kadri Zekës në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan.

Është koha dhe është obligim i shtetit të Kosovës që ta korrigjojnë këtë padrejtësi që u është bërë 3 heronjve dhe t’i rivarrosi në një varrezë të përbashkët. Rivarrosja e eshtrave të tyre pranë heroit Adem Demaçi mund të ishte një nga zgjidhjet e mundshme e cila do të mund t’u siguronte prehje të përbashkët dhe qetësi.

Rolin kryesor në këtë ribashkim e kanë për obligim dhe në dorën e tyre ta luajnë familjet e heronjve Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla.

Tre ranë, më mijëra u ngritën- Kosova fitoi Republikën. Ky është epilogu i 26 vjeçarit (17 janar 1982- 17 shkurt 2008) i luftës së Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare të Kosovës.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lulëzim ETEMAJ 37 vite më parë, më 17 janar 1982,…