Tre të dyshuar me koronavirus në Deçan, Ramosaj: Nuk është rast për shqetësim, të presim rezultatet

17 mars 2020 | 13:07

Tre presona nga Komuna e Deçanit, të cilët jetojnë në shtetet e Evropës dhe kanë ardhur në vendlindje, janë paraqitur dje në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë si të dyshuar me simptoma të koronavirusit, analizat e të cilëve janë dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe po pritet që sot në orën 16:00 të dalin rezultatet.

Kryetari i Komunë se Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka kërkuar nga qytetarët që mos të shqetësohen, pasi beson se 99 për qind rezultatet e këtyre tre personave do të dalin negative.

“Unë dje kam qenë prezentë kur kanë ardhur tre personat për kontroll, nuk është rast për shqetësim. Sipas protokolleve shëndetësore janë në një situatë krejt normale. Analizat e këtyre personave janë dërguar për në Institutin e Shëndetësisë Publike në laborator, dhe deri më tash nuk e kemi ndonjë konfirmim që janë të infektuar me koronavirus. Një informatë është e mirë se gjendja e tyre është stabile. Në orën 16:00 presim rezultatet. Besoj se 99 për qind lajmi do të jetë në të mirë të qytetarëve të Deçanit”, ka thënë Ramosaj për gazetën “Epoka e re”.

Ramosaj ka bërë me dije se Komuna e Deçanit ka ndërmarrë të gjitha masat që kanë qenë në kompetencën e saj për t’u mbrojtur nga koronavirusi, megjithatë ai ka shqetësime si kryetar komune në aspektin teknik të pajisjeve për punëtorët e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Punëtorët e QKMF-së janë vija e parë e frontit që përballen me qytetarët dhe nuk i kanë pajisjet adekuate për të cilat është dashur të kujdeset Ministria e Shëndetësisë. Megjithatë ne kemi marrë masat e duhura edhe me buxhetin tonë kemi ndihmuar në pajisje për aq sa kemi pasur mundësi, dhe aq sa tregu na ka lejuar për t’u furnizuar me veshje adekuate dhe maska punëtorët shëndetësorë dhe për t’u furnizuar me alkool. Gjithashtu kemi ndërhyrë edhe në listën esenciale që nuk është kompetencë e komunës por e Ministrisë së Shëndetësisë. Njëjtë kemi vepruar me policinë, zjarrfikësit, punëtorët e ndërmarrjes komunale ‘Higjiena’ dhe me inspektoratin komunale”, është shprehur Ramosaj.

Ai ka dhënë kritika për qeverinë, e cila sipas tij nuk ka përfillur kërkesat e Komunës së Deçanit. “Kjo është hera e gjashtë që ia kemi adresuar shqetësimet tona. Nuk na kanë refuzuar për të na thënë jo, por veprime konkrete nuk kemi parë. Në këso situata qeveria dhe komuna duhet me qenë praktike, jo me qenë institucione mediatike veç sa për të deklaruar por duhet për të vepruar”, ka deklaruar Ramosaj.

Kryetari i Deçanit ka falënderuar qytetarët dhe bizneset që janë duke respektuar në përpikëri masat e ndërmarra nga komuna e qeveria për t’u mbrojtur nga koronavirusi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prodhuesi i automjeteve gjermane "Volkswagen" ka njoftuar se planifikon të…