Tre të vdekur dhe katër të lënduar në aksidentin ku përfshihet eskorta e ambasadores turke
Tre persona kanë ndërruar jetë dhe katër person janë lënduar në aksidentin ku është përfshirë edhe eskorta e ambasadores turke në Kosovë, Kivilcim Kiliç.
Lajmin për “klankosova.tv” e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Florije Ahmeti.
“Rreth orës 17:00 në magjistralen Prishtinë – Gjilan, saktësisht me fshatin Mramor, ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë tri automjete”.
“Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona – dy prej të cilëve në vendin e ngjarjes kanë ndërruar jetë. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka thënë ajo.
“Klan Kosova” mëson se në QKUK ka ndërruar jetë edhe personi i tretë, por rasti akoma nuk është konfirmuar nga autoritetet.
Ndërkohë ekipi i “Klan Kosovës” është duke qëndruar në Qendrën Klinike Universitare, ku bën të ditur se katër personat e lënduar janë duke u trajtuar në këtë qendër.
Si pasojë e aksidentit është krijuar edhe një kolonë tejet e gjatë në hyrje të Mramorit – kolona ka arritur deri në pesë kilometra.