Tre të vdekur dhe të lënduar në Britani
Policia ka arrestuar një person të martën, pasi tre persona u gjetën të vdekur dhe një furgon tentoi të shkelte tre të tjerë në qytetin anglez të Notingamit. Autoritetet besojnë se këto incidente janë të lidhura.
Qendra e Notingamit është mbyllur për publikun dhe ka prezencë të shtuar policore.
Një 31-vjeçar është arrestuar nën dyshimet për vrasje, tha policia.
Shefja e policisë në Notingam, Kate Meynell, tha se në këtë rast është përfshirë edhe ekipi kundër terrorizmit i policisë.
“Jemi në fazën e parë të hetimit dhe duhet të përcaktojmë motivet pas këtyre sulmeve”, tha ajo.
Ajo shtoi se aktualisht nuk besojnë se ndonjë person tjetër është përfshirë në këtë incident.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak, falënderoi ekipet emergjente që trajtuan këtë “incident tronditës” në Notingam, që është shtëpi e më shumë se 320.000 banorëve.
Policia u thirr pak pas orës 04:00, pasi dy persona u gjetën të vdekur në rrugën Ilkeston, që gjendet në jug të qytetit.
Banorët raportuan se kanë dëgjuar të bërtitura dhe kanë parë një burrë dhe grua të re duke u therur, para se sulmuesi – që sipas dëshmitarëve ishte “një person me ngjyrë i veshur me rroba të zeza” – u largua nga vendngjarja.
Në rrugën Magdala u gjet edhe trupi i pajetë i një burri, tha policia.
Ndërkaq, sipas autoriteteve tre persona që u goditën me furgon në rrugën Milton, janë duke marrë trajtim mjekësor.
Personat që u shtypën me furgon ishin duke pritur në një stacion autobusi, thanë autoritetet britanike. /REL