Tre të vdekur për 24 orë në aksidente trafiku
Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit tre persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve rrugore, ku shkaktarë kryesor vlerësohet të kenë qenë pakujdesia e drejtuesve, humbja e kontrollit mbi automjet dhe përdorimi i alkoolit.
“Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka ndërmarrë masa aktive në funksion të një sigurie më të madhe në trafik, ndërsa edhe tani kërkon nga vozitësit që të kenë kujdes më të shtuar gjatë ngasjes së veturës. Me gjithë aktivitetet për parandalim të aksidenteve nga Policia, fushatave mediale, planeve operacionale dhe masave ligjore ndaj kundërvajtësve, humbja e jetëve njerëzore në aksidente trafiku mbetet shqetësim i madh. Prandaj për të ndikuar në reduktimin e aksidenteve fatale dhe humbjen e jetëve njerëzore kërkohet përkushtim dhe vigjilencë nga të gjithë, përfshirë institucionet dhe pjesëmarrësit në trafik, në veçanti kërkohet kujdes i shtuar nga vet drejtuesit e automjeteve”.
“Respektimi i ligjit të trafikut, ku përfshihen kufizimi i shpejtësisë, përshtatja e drejtimit të automjetit me kushtet në rrugë, mospërdorimi i alkoolit gjate vozitjes, përqendrimi më i madh gjatë vozitjes dhe shmangia e përdorimit të telefonave gjatë vozitjes, duhet marrë parasysh për parandalim të aksidenteve”, ka njoftuar policia.
Sipas këtij njoftimi, policia po vazhdon dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e masave rigoroze ligjore dhe do të jetë zero tolerante ndaj veprimeve të të gjithë atyre drejtuesve që bien ndesh me ligjin e trafikut dhe rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve tjerë, me të vetmin qellim parandalimin e aksidenteve fatale.