Tre të vrarë në Irak, vendi vazhdon të jetë në krizë
Në Bagdad forcat e sigurisë kanë vrarë të premten tre protestues dhe kanë shpërndarë me forcë demonstruesit që mbanin të bllokuar portin kryesor të vendit pranë Basras.
Forcat e sigurisë kanë hapur zjarr dhe kanë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve në një urë kryesore në Bagdadit, njoftuan burime të policisë.
Dy persona kanë mbetur të vrarë nga plagët e marra me armë zjarri, ndërsa një tjetër pasi është qëlluar në kokë me një bombol gazi lotsjellës.
Sipas njoftimeve të paktën 27 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Në jug të vendit forcat e sigurisë rihapën hyrjen për në portin kryesor të Irakut, atë të Umm Qasr-it, të cilin protestuesit e mbanin të bllokuar prej ditës së hënë. Por porti nuk ka nisur ende të funksionojë normalisht.
Të paktën 329 vetë janë vrarë që nga fillimi i trazirave në fillim të muajit tetor në Bagdad dhe në jug të Irakut.
Këto janë duke u konsideruar si demonstratat më të mëdha që nga rënia e Saddam Hussein në vitin 2003.
Protestuesit janë duke kërkuar largimin e asaj që e quajnë një klasë politike të korruptuar e që i shërben fuqive të huaja, ndërsa shumë irakianë jetojnë në varfëri, pa punë, kujdes shëndetësor apo arsim.
Kleriku kryesor mysliman shiit i Irakut, Ayatollah i Madh al-Sistani, ka bërë thirrje të premten që politikanët të nxitojnë për të reformuar ligjin zgjedhor, pasi sipas tij kjo do të ishte e vetmja mënyra për t’i dhënë zgjidhje trazirave të dhunshme disa javore./VOA/