Tre vëllezërit boksierë nga Gjakova synojnë t’i sjellin Kosovës medalje ndërkombëtare

16 janar 2023 | 16:55

Sali, Hykber dhe Leotrim Hajdaraj janë vëllezërit nga komuna e Gjakovës që merren me sportin e boksit, derisa janë pjesë e Klubit të Boksit “Sport Center”.

Ata kanë filluar t’i renditin sukseset në rrafshin vendor, derisa synim kryesor kanë t’i sjellin Kosovës medalje nga garat ndërkombëtare.

Sportistët nga qyteti i Gjakovës shpeshherë kanë lënë gjurmë në sportin vendor, por edhe në atë ndërkombëtar. Një gjë të tillë pritet ta bëjnë edhe tre vëllezërit boksierë Sali, Hykber dhe Leotrim Hajdaraj të cilët kanë filluar t’i renditin sukseset në rrafshin vendor, derisa synojnë që në të ardhmen t’i sjellin Kosovës medalje edhe nga garat ndërkombëtare.

Boksieri Sali Hajdaraj nga fshati Devë e komunës së Gjakovës bashkë me vëllezërit e tij Hykberin dhe Leotrimin stërviten në Klubin e Boksit “Sport Center”. Salihi është shpallur nënkampion në Kampionatin Individual të Kosovës në vitin që sapo lamë pas. “Me sportin e boksit merrem që një vit. Sportin e boksit e fillova në moshën 16 vjeçare.

Stërvitem nga trajnerët Leonard Hoxha, Lekë Ramoja dhe Agim Shala, të cilëve u jam shumë mirënjohës për përkushtimin dhe mundin e tyre të palodhshëm. Ne stërvitemi pesë herë në javë, nga dy orë dhe dy herë në ditë. Gjatë këtij viti unë zhvillova pesë meçe, ku në këto meçe nuk ishte dhe aq lehtë, por ia arrita t’i përmbyllë me sukses. Në meçin e fundit në Kampionatin Individual të Kosovës arrita të bëhem nënkampion i Kosovës, por për vitin 2023 kam pritshmëri më të mëdha, sepse në vitin 2023 pres të zhvilloj më shumë ndeshje e t’i sjell më shumë medalje qytetit tim.

Gjithashtu një ndër pritshmëritë më të mëdha është edhe përfaqësimi i Kosovës që të sjell medalje evropiane, pse jo edhe botërore”, ka thënë Sali Hajdaraj.

Djaloshi tjetër nga familja Hajdaraj nga Deva që merret me sportin e boksit është Hykberi. Edhe ky ka pasur një vit të suksesshëm. “Gjatë këtij viti kam zhvilluar shtatë meçe. Të gjitha i kam përmbyllur me sukses, po ashtu në dy meçet e fundit në Kampionatin Individual të Kosovës boksova në gjysmëfinale dhe në finale ku nëpërmjet këtyre ndeshjeve arrita të bëhem kampion i Kosovës për vitin 2022/2023 në peshën 54 kg, ndërsa në vitin 2023 pres ta përfaqësoj Kosovën edhe në garat ndërkombëtare, pse jo të sjell edhe medalje”, ka deklaruar Hykberi Hajdaraj.

Leotrimi është vëllai i tretë që merret me boks. Ai është 15-vjeçar dhe thotë se vëllezërit e tij janë motivi kryesor që merret me këtë sport dhe synon të ecë hapave të tyre dhe të jetë një sportist i suksesshëm. “Me sportin e boksit merrem që nga viti i kaluar. Motivin dhe dëshirën për boks i mora pas sukseseve dhe arritjeve të vëllezërve të mi Sali dhe Hykber Hajdaraj. Ata më motivojnë të stërvitem dhe shpresoj të shkoj hapave të tyre dhe ta bëj krenar shtetin tim”, ka shtuar Leotrimi.

Vëllezërit Hajdaraj nga Deva sukseset ia dedikojnë kryetarit të Klubit të Boksit “Sport Center” në Gjakovë, Halil Kurhasku dhe trajnerëve Leonard Hoxha, Lekë Ramoja dhe Agim Shala. “Një faleminderit i veçantë shkon edhe për familjen tonë Hajdaraj, e cila nuk kurseu mbështetjen, në veçanti një falënderim i veçantë është për prindin Besim Hajdaraj i cili është krah nesh që nga hapat e parë të fillimit të karrierës sonë”, kanë deklaruar vëllezërit boksierë nga Gjakova.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

 

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

 

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

 

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, bëri thirrje për themelimin…