Tre vjet pas krizës, evropianët mbeten të hapur ndaj emigrantëve
Shumica e evropianëve e mbështesin pranimin e refugjatëve, edhe tre vjet pas krizës me ta në kontinent, thuhet në një anketë që ka realizuar Qendra Amerikane e Kërkimeve Pew.
Në kohën kur zemërimi për migrimin ka rritur euro-skepticizmin dhe partitë anti-emigrante në gjithë Evropën, anketa, e realizuar në periudhën maj-korrik të këtij viti, tregon se mbi 80 për qind e të rriturve në Spanjë, Holandë, Gjermani dhe Suedi e favorizojnë pranimin e refugjatëve që ikin nga dhuna dhe lufta.
Mbi 70 për qind mbështetje ka në Francë dhe Britani të Madhe, raporton “Rel”.
Edhe në Greqi dhe Itali, dy pikat kryesore hyrëse për emigrantët që synojnë Evropën, sondazhi tregon se shumica e të anketuarve e favorizojnë pranimin e refugjatëve.
Vendi evropian me mbështetjen më të vogël për emigrantë është Hungaria, me 32%, dhe Polonia me 49 për qind, thuhet në anketën e qendrës Pew.
Në vitin 2015, në Evropë kanë hyrë mbi një milion emigrantë, kryesisht të ikur nga konfliktet dhe dhuna në Lindjen e Mesme.