Tregimi i shkurtër, pasion dhe dashuri
Izet Abdyli
(Ramë Oraca, “Kandar i ndryshkur”, LShK, Prishtinë, 2020)
Krijimtarinë letrare të Ramë Oracës e kam lexuar vazhdimisht. Duke lexuar librin e tij më të ri me tregime, me titull “Kandar i ndryshkur”, mund të konstatoj se është një nga librat e tij më të arrirë artistikisht. Ligjërimi i rrjedhshëm, leksiku i pasur gjuhësor, figurat e pasura stilistike, gjetjet e motiveve dhe mesazhet që përçojnë te lexuesit tregimet, e bëjnë këtë vepër të realizuar plotësisht.
Rrëfimet e protagonistëve të këtyre tregimeve – rrëfejzave – përshkruhen me saktësi gjuhësore me të folmen vendçe ku, krahas përshkrimit të bukur, akëcili tregim sjell një mesazh të veçantë. Autori tashmë ka përvojën krijuese dhe në tërësi iu përmbahet rregullave të tregimit të shkurtër. Madje ai herë-herë nuk fsheh të vërtetën se si krijues fshihet prapa këtyre tregimeve duke qenë i vetëdijshëm se akti krijues mbart në vete edhe një përgjegjësi para lexuesit. Duke jetuar në një ambient rural, autori me kujdes ka vjelë brumin nga ngjarjet e rrëfimet e të moshuarve duke i mëveshur me velin artistik.
Në nëntekstin e këtyre tregimeve shpeshherë fshihen ironia dhe sarkazma, duke krijuar herë-herë edhe situata groteske që mund të merren edhe si brumë për skicim të ndonjë pjese teatrale.
Lirisht mund të themi se secili tregim në një formë a tjetër është dramë në vete.
Ky libër shpërfaq dramën jetësore të individit dhe të kolektivit, katrahurat jetësore, situatat e absurdit etj. Por ajo që dallon e këtë libër është përkushtimi i autorit që secilin tregim ta latojë me kujdes duke ruajtur njëtrajtshmërinë e nivelit artistik. Dhe nëse duhet ta dallojmë ndonjërin prej tregimeve më të mira të këtij libri, pa dyshim se është tregimi “Baladë dheu” që si një epilog përmbyll këtë libër.