Tregu i Gjelbër, zonë e kundërmimit të mbeturinave
Një pjesë e Prishtinës po kundërmon me erë të padurueshme, sidomos tash në stinën e verës. Qytetarët që frekuentojnë pjesën afër Tregut të Gjelbër ankohen për praninë e madhe të mbeturinave.
Ata, gjithashtu, kanë ankesa për ndërmarrjen “Pastrimi” pasi, sipas tyre, shërbimi i mbledhjes së mbeturinave nuk po kryhet me rregull. Ndërkaq, zyrtarë nga kjo ndërmarrje theksojnë se po hasin në vështirësi, derisa komunarët premtojnë se ky problem shumë shpejt do të zgjidhet.
“Në çdo kënd, sidomos në këtë rrugë, sidomos që bëhet shitblerja e gjërave, normal që pengon, kundërmon tash që është vera”, tha qytetarja Eranda Mulliqi.
Hamit Canolli, i cili është banor i kësaj zone thotë se mbeturinat janë pengesë e madhe kur frekuentohet kjo rrugë.
Ata i drejtojnë ankesat edhe te ndërmarrja “Pastrimi”, madje duke thënë se nuk po e kryejnë punën e tyre ashtu siç duhet.
“Natën po vijnë ndonjëherë, i shprazin veç dy kontejnerë, tjerët i lënë”, tha Hasan Matoshi.
Ndërkaq, zyrtarë nga ndërmarrja “Pastrimi” sqarojnë se çfarë po e vështirëson pastrimin në këto pjesë të kryeqytetit.
“Kompania ‘Pastrimi’ në vazhdimësi bën pastrimin dhe dezinfektimin e kontejnerëve, por shqetësim në hapësirën afër Tregut të Gjelbër vazhdon të mbetet parkimi i veturave, gjë që vështirëson dhe pamundëson shpeshherë kryerjen e shërbimit, fluksi i madh i qytetarëve në atë pjesë, si dhe tregtarët të cilët i ikin marrëveshjes me kompaninë tone”, kanë deklaruar nga kjo ndërmarrje për RTK-në.
Nga ana tjetër, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës thotë se gjendja e trashëguar me ndërmarrjen “Pastrimi” nuk ka qenë aspak e lehtë, por thekson se po ndërmarrin hapa në këtë drejtim.
“Në fund të muajit gusht do të bëjmë hapjen e ofertave për buxhetin prej një milionë e gjysmë që kemi ndarë për blerjen e kamionëve për ndërmarrjen “Pastrimi”, gjithashtu kemi bërë thirrje për blerjen e më shumë se 1.000 kontejnerëve”, tha drejtori Ilirik Musliu.
Nga komuna e Prishtinës premtojnë se ky problem do të zgjidhet me ardhjen e kamionëve të rinj, të cilët janë në mungesë në ndërmarrjen “Pastrimi”.