Trendafilova flet pas largimit të kryeprokurorit të Gjykatës Speciale
Pas deklaratës së lëshuar nga Prokurori i Specializuar, David Schwendiman, në lidhje me përfundimin e ushtrimit të funksionit të tij, prej 31 marsit 2018, kryetarja e Dhomave të Specializuara apo e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka folur për largimin e tij.
Trendafilova ka lavdëruar punën e deritanishme të Schwendimanit, për të cilin ka thënë se prej emërimit të tij në detyrë, ai ka punuar në mënyrë këmbëngulëse për jetësimin e mandatit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Që prej emërimit ai ka punuar në mënyrë këmbëngulëse për jetësimin e mandatit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për të mundësuar hetime dhe procedime penale të drejta, të paanshme, efikase dhe të pavarura të pretendimeve për krime brenda juridiksionit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke i kushtuar kujdes të posaçëm mbrojtjes së dëshmitarëve të mundshëm”, ka thënë Trendafilova.
Ajo gjithashtu ka shprehur qëndrimin se të dy institucionet, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, do të vijojnë pa ndërprerje punën për përmbushjen e mandatit të tyre.