Trendafilova pamundësoi lirimin e Thaçit me largimin e gjyqtarit Ambos
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e kishte eliminuar nga Paneli i Apelit gjyqtarin Kai Ambos, i cili kishte hapur mundësinë e lirimit me kusht të Hashim Thaçit përmes garancioneve të shteteve të treta.
Vendimi i djeshëm i panelit të Apelit është marrë me shumicë votash, por për pikën e 6-të të ankesës lidhur me garancitë e shteteve të treta, gjyqtarja Nina Jorgensen ka votuar kundër, duke konstatuar se Gjyqtari i Procedurës Paraprake është dashur t’i dëgjojë shtetet e treta për garancitë e dhëna, para se të vlerësonte nëse garancitë adresonin rreziqet e identifikuara.
Gjyqtarja Nina Jorgensen ka qenë pjesë e panelit të Apelit edhe herën e parë kur gjyqtari Kai Ambos kishte hapur mundësinë e lirimit me kusht në shtetet e treta.
Ky gjyqtar ishte larguar pa shpjegim nga paneli i ri për trajtimin e ankesës së dytë për lirim me kusht, sepse vendimi i djeshëm i Apelit, duke marrë për bazë edhe opinionin e gjyqtares Nina Jorgensen, po të ishte edhe gjyqtari Ambos pjesë e panelit, do të ishte ndryshe bazuar në qëndrimet tashmë të njohura të këtyre dy gjyqtarëve dhe ish-udhëheqësit e UÇK-së do të lejoheshin të mbroheshin në liri.
Kai Ambos, gjyqtari i Dhomave të Specializuara, i cili hapi mundësinë e lirimit me kusht të ish-presidentit Hashim Thaçi, ishte eliminuar nga paneli i Apelit me vendim të Ekaterina Trendafilovës, kryetares së kësaj gjykate.
Udhëheqësja e Gjykatës Speciale kishte caktuar tre gjyqtarë në përbërjen e re të panelit të Apelit për shqyrtimin e ankesës së mbrojtjes së Hashim Thaçit ndaj masës së paraburgimit të caktuar ndaj tij.
Ky panel i ri i Apelit, që dje mori vendimin ndaj ankesës së mbrojtjes së Thaçit, përbëhej nga gjyqtarët Michèle Picard, Emilio Gatti dhe Nina Jorgensen.
Ky plan ishte evidentuar më 29 korrik, në kuadër të një vendimi për përbërjen e një paneli që do të shqyrtonte kërkesën e palës mbrojtëse për afat shtesë, për depozitimin e ankesës në kundërshtim të vendimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, Nikola Giju, për mosshqyrtimin e garancioneve të ofruara nga vendet e treta për lirimin e Thaçit, shkruan “Insajderi”.
Gjyqtari i Procedurës Paraprake, Nikola Giju, në vendimin e datës 23 korrik kishte refuzuar kërkesën e ekipit të mbrojtjes së ish-presidentit Thaçi për lirimin e tij me kusht pa i marrë për bazë garancionet e vendeve të treta.
Këtë e kishte bërë pa ndonjë vlerësim të këtyre garancioneve, nga një panel i gjykatës, ani pse një gjë e tillë parashihet me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Giju kishte konkluduar se nuk ka qenë e nevojshme t’i vlerësonte garancionet e ofruara për lirimin me kusht të ish-presidentit Thaçi. Në vendimin e tij, ai kishte konsideruar se asnjë kusht shtesë, përfshirë kushtet e propozuara ose ndonjë kusht tjetër nuk mund të adresojë sa duhet rreziqet e paraqitura nga Thaçi.
Mbetet enigmë nëse edhe gjyqtarja Nina Jorgensen do të largohet nga paneli i Apelit, sikurse gjyqtari Kai Ambos, për trajtimin e ankesës së radhës për shkak të votës së saj kundër këtë herë.