Treni i linjës Prishtinë – Pejë u gjuajt me gurë, Trainkos thotë se janë në rrezik
Trainkos ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme është regjistruar një incident, ku treni i linjës Prishtinë – Pejë është gjuajtur me gurë, është gjuajtur me gurë nga një grup i të rinjve.
Kjo ndërmarrje në njoftim thekson se po ballafaqohet vazhdimisht me aktivitete të rrezikshme që kanë për qëllim të dëmtojnë imazhin, sigurinë e udhëtarëve dhe integritetin e shërbimeve.
“Pamja e këtyre vagonëve lë përshtypjen se gjenden në vatra të luftës, ndërkohë që këta vagonë kanë ardhur në vitin 2017 të rifabrikuar me një kosto prej 1.2 milion eurosh, mjete këto të taksave të punonjësve të ndërgjegjshëm që e duan shtetin. Dëmtohen nga persona të pa ndërgjegjshëm, duke shkatërruar pasurinë publike dhe shtetërore” thuhet në njoftim të Trainkosit.
“Defektet në lokomotivat tona, si ajo e datês 25.10.2024 te treni 761 dhe datës 14.10.2024 në linjën Prishtinë-Pejë, në kilometrin 37+500, si dhe vendosja e barrikadave me gurë në hekurudhë, i konsiderojmë akte sabotimi me elemente terroriste. Këto veprime synojnë të shkaktojnë frikë, dëme dhe pengesa të rënda për përdoruesit e transportit hekurudhor. Ne jemi të vendosur të ruajmë integritetin tonë dhe do të vazhdojmë me reforma në brendësi të ndërmarrjes. Nuk do të biem pre e këtyre shantazheve. Është e rëndësishme të theksojmë se këto veprime nuk cenojnë vetëm Trainkos-in, por rrezikojnë gjithashtu sigurinë kombëtare dhe interesin publik” thuhet tutje në njoftim.