Treni për Bruksel
Shkruan: MSC. Ramadan Baraliu
Në Prizren shpesh dëgjon muhabete me nostalgji se si kanë hipur në tren në Prizren dhe kanë zbritur në Vjenë para do kohe. Sot treni nuk shkon për Prizren dhe askund tjetër. Shinat e trenit janë ngulfatur nga ndërtesa që janë shumë në numër dhe të larta, por të paarritshme për shumicën e qytetarëve. Prishja e hekurudhës dhe pamundësia e udhëtimit për në Vjenë nga Prizreni, ngjason me rrugëtimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në proceset integruese në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Përderisa shtetet e zhvilluara punojnë për të rritur mirëqenien e qytetarëve të tyre edhe më shumë, shtetet e Ballkanit Perëndimor ende orvaten në problemet e moçme, që vazhdimisht u kanë sjellë varfëri. Deri te kjo gjendja ka ardhur pasi që në Ballkan me shekuj janë ndeshur interesat e Lindjes dhe Perëndimit, ndërsa popujt ballkanas kanë mbetur në mjegullën që është krijuar dhe nuk po mund të dalin, edhe pas shumë mësimeve. Në opinionin tim, zgjidhja përfundimtare e këtyre problemeve ballkanike është integrimi i plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por sa do zgjasë ky proces dhe a kemi shumë kohë për të pritur?
Kosova është në pritje të konfirmimit të rekomandimit të Komisionit Evropian në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e BE-së sa i përket liberalizimit të vizave. Duket që ky propozim do të kaloj pozitivisht për kosovarët, nëse nuk e prishim punën vet ne, në momentin e fundit, siç ndodhë shpesh, pasi këso kulture politike kemi kultivuar deri më tani. Në këtë funksion, duhet të adresohet sa më parë nga organet e drejtësisë, procesi i hetimeve për veteranët, dhe në këtë proces politika nuk duhet të ketë dorë. Për shkak të këtij rasti, mund ta humbim mundësinë që të lëvizim lirshëm.
Çfarë po ndodh në Bashkimin Evropian
Qytetarët e shteteve të Bashkimit Evropian në vitin e ardhshëm do t’i drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet që do të organizohen për Parlamentin Evropian. Mandati i përbërjes VIII të Parlamentit Evropian përfundon më 18 prill 2019. Në një votim të drejtpërdrejtë më 23-26 maj, qytetarët në 27 shtete anëtarë të BE-së do të zgjedhin 705 deputetë. Deri më tani PE i kishte 751 deputetë nga 28 shtete anëtarë, mirëpo pas BREXIT, PE do të tkurret.
Deri më tani PE ka pas qëndrim shumë konstruktiv dhe mbështetës në raport me shtetin e Kosovës dhe proceset integruese të Ballkanit Perëndimor. Tani, frika kryesore është rritja e euroskeptikëve dhe partive populiste dhe mundësia e rritjes së fuqisë së tyre edhe në PE pas zgjedhjeve 2019. Por, këto parti a janë të aftë të formojnë një forcë parlamentare e vetme koherente, kjo mbetet për tu parë. Ajo që dihet deri më tani është se dallimet mes tyre në shtetet të ndryshme evropiane, gjithnjë po zvogëlohen.
Disa nga partitë euroskeptike dhe populiste e kanë ndërruar diskursin. Ato më nuk shprehën më kundër Bashkimit Evropian, por janë për reforma rrënjësore në mënyrën e vendimmarrjes brenda unionit dhe në shumë aspekte tjera. Madje është përmendur edhe mundësia e shuarjes së Komisionit Evropian, organ i cili pothuajse vendos për gjithçka brenda BE-së. BE është projekt i elitave evropiane. Rritja e ndikimit të partive populiste mund të ketë efekt negativë për shumë çështje. Po ashtu ekziston një iniciativë për organizim kundër estabilishmentit aktual në BE, duke marrë modelin amerikan. Jo vetëm që populistët janë gati të prishin konstolacionin aktual të forcave në parlament, por një valë e re e partive transnacionale pak të vërejtura po shfaqen gjithashtu.
Të dy kërcënojnë partitë kryesore politike që kanë mbajtur historikisht monopolin në projektin evropian. Evropa mund të jetë në prag të një forme më transnacionale të demokracisë, e cila është e polarizuar rreth pozicioneve themelore pro dhe anti BE. Grupi më i madh politik në PE është Partia Popullore Evropiane – EPP e djathtë, e cila mban 217 nga 751 vende, e ndjekur nga Aleanca Progresive e Majtë e Socialistëve dhe Demokratëve-SD, e cila aktualisht mban 189 vende. Parlamenti gjithashtu përfshin Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën-ALD, Konservatorët dhe Reformistët Evropianë dhe disa koalicione të tjera më të vogla.
Nëse ndodhë një polarizim i tillë në BE, qëndrimet e forcave të reja që pretendojnë të fitojnë shumicën dihen dhe forcimi i tyre mund të shuaj shpresat e kosovarëve për lëvizje të lirë por mund të ju rikthej vizat edhe shteteve të rajonit nëse vazhdojnë të sjellin telashe për BE-në. Po ashtu rrugëtimi për integrim në BE-në i shteteve të Ballkanit Perëndimor mund të zgjatet.
Është momenti i fundit që të bindim opinion evropian se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të gatshëm për integrim të plotë dhe se nuk do të sjellin telashe me integrimin e tyre, porse do të jenë vlerë e shtuar në këtë projekt mbi nacional. Këtë e tha të shtunën në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë edhe Presidenti i këtij shteti. Alexander Van der Bellen ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të arrijnë marrëveshje brenda këtij viti. Kjo sipas tij duhet të ndodhë për shkak të zgjedhjeve të reja që ndodhin në BE në vitin e ardhshëm dhe kjo është periudha kur “treni ndalet”.
E çka do të ndodhë nëse nuk e shfrytëzojmë trenin e fundit për të shkuar në Bruksel.
Largimi ose zgjatja e rrugës për në BE për shtetet e Ballkanit Perëndimor do të thotë krijimi i terrenit të përshtatshëm për agjendat ruse dhe të aleatëve të tyre në këtë hapësirë.
Ditë më parë Foreign Affairs publikojë një tekst, se “Si mund të luftojnë demokracitë kundër pushtetit autoritar”. Aty theksohet se në mbarë botën, qeveritë autoritare po ndërhyjnë me institucionet e shoqërive demokratike në mënyra që nuk do të ishin të paimagjinueshme edhe gjatë Luftës së Ftohtë.
Universitetet, kompanitë mediale, institutet hulumtuese, studiot e filmit, muzetë, shtëpitë botuese dhe çdo aspekt i procesit politik po vihen në shënjestër nga ndikimi i jashtëm. Kjo lloj force e mprehtë është aq efektive, sepse institucionet në mjediset demokratike janë të hapura për botën e jashtme dhe në këtë mënyrë janë të prekshme ndaj manipulimit të huaj. Politikëbërësit brenda demokracisë duhet të përballen me sfidën e refuzimit të ndikimit të jashtëm, ndërkohë që mbështesin vlerat esenciale demokratike.
Kosova si demokraci e re dhe në konsolidim e sipër është shumë e ekspozuar ndaj këtyre ndëryjoreve të jashtme.
Afrimi i Kosovës dhe shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor me Evropën dhe integrimi përfundimtar i tyre në BE, do të thotë largimi përfundimtar i ndikimit Rus në këto shtete. Sa është e interesuar Rusia për këtë perspektivë, kjo çështje nuk do koment. Rusia vazhdimisht ka luajtur dhe po luan me forcat nacionaliste në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe në BiH, duke shpresuar që të ngadalësojë rrugëtimin e këtyre shteteve për në BE dhe në NATO. Në Mal të Zi i dështoi tendenca për destabilizim , po ashtu edhe në Maqedoni, ndërsa ndikimin ende e ka në Serbi dhe në Republika Serbska, përmes tyre pretendo ta zgjeroj edhe në rajon.
Tani ekziston rrezikshmëri që në të ardhmen Rusia të përdorë prezencën dhe ndikimin e madh që kanë shtete të tjera euro-aziatike që e po rrëshqasin në regjime diktatorial dhe po largohen nga aleancat perëndimore dhe që janë mjaftë prezentë në rajon, sidomos në Shqipëri dhe Kosovë. Shtete larg me amerikanët dhe evropianët ndërsa të afërt me rusët dhe serbët, nuk mund të jetë miq të besueshëm dhe të qëndrueshëm me shqiptarët. Shtetet e Ballkanit Perëndimor, sidomos Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë të vëmendshme për rreshtimet në këtë kohë të ndërrimit të raporteve në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe krijimit të aleancave të reja. Duhet të bëjmë një mburojë për ndikimet që mund të vijnë nga shtetet që historikisht nuk kanë mbajtur qëndrim në favor tonin.
Të gjithë duhet t’i kryejmë me përpikëri detyrat e shtëpisë në mënyrë që ta zëmë trenin e fundit për lëvizje të lirë dhe për integrim të plotë në BE dhe NATO. Duhet të zëmë trenin e fundit për Bruksel dhe mos ta katandisim trasenë siç kanë bërë me hekurudhën duke i pamundësuar lëvizjen trenit për Prizren. Vitin e ardhëm treni mund të ndalet!!!
(Autori punon në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. Qëndrimet në këtë tekst janë personale)