TREPÇA

25 nëntor 2019 | 15:04

Mr.sc. Bislim L. Fetahaj inxh. dipl. i gjeologjisë

-Trepça nuk është në krizë. Kosova është në krizë ekonomike. Trepça është zgjidhja e krizës ekonomike

Trepça është dhuratë nga zoti për Kosovën. Trepça dhe të gjitha pasuritë tjera minerale të Kosovës për një qeveri të mençur, vizionare dhe atdhedashëse janë çelësi kryesor dhe garanci kryesore për zhvillim dhe përparim të vendit.
Nuk ka Trepçë veri e as Trepçë jug. Ka vetëm një Trepçë. Trepçë është: Albaniku, Cërnaci, Bellobërda, Shatorica, Stantërgu, Zijaça, Melenica, Maxhera, Rashani, Batllava, Artana, Kaltërina, Përroi i Thartë, Kishnica, Hajvalia, Badoci etj.
Trepçë janë edhe zonat e lokacionet në të cilat më financime nga Trepça dhe më ekspert nga Trepça janë bërë hulumtime gjeologjike komplekse dhe janë veçuar lokacione për hapje të minierave të reja. Trepça është Kosova.
Nga minierat e Trepçës janë nxjerr miliona e miliona tonelata xehe të pasura me plumb-zink dhe elemente të tjera përcjellëse. Edhe për kundër kësaj, në Kosovë ka pasuri minerale, ka rezerva të sigurta të xeherorit të plumb-zinkut.
Çdo orvatje për ndërtimin e një plani ose strategjie për dalje nga kolapsi ekonomik pa u mbështetur në pasuritë minerale te vendit është dështim, siç është dështim edhe përpjekja për të vazhduar praktikën e më hershme të shfrytëzimit të xeherorëve, pa kriter përzgjedhjen vetëm te xeherorëve të pasur ne një anë e në anën tjetër shkatërrimin dhe shëmtimin e ambientit të vendit. Dëshmi për shfrytëzim të egër dhe pa kriter janë deponitë e mbetura të trajtuara si sterile.

Shfrytëzimi i vendburimeve polimetalore te Pb-Zn vetëm për prodhimin e koncentrateve nuk duhet të jetë qëllimi kryesor dhe nuk është rentabil. Ka vende në botë të cilat janë shumë të pasura me minerale të dobishme, por janë në grupin e vendeve jo të zhvilluara. Kjo për faktin se nuk e kanë të zhvilluar industrinë e pasurimit dhe të përpunimit të lëndëve të para minerale.

Me studime paraprake rreth ndikimit të shfrytëzimit në ambient dhe me aplikimin e teknologjive të reja për shfrytëzimin dhe përpunimin e produkteve minerale, vërtetë mund të arrihet që këto pasuri minerale të vihen ne funksion të zhvillimit dhe të përparimit të vendit dhe të mbarë shoqërisë. Por që të minimizojmë ndikimet negative në ambient nga këto veprimtari duhet të investohet në teknologji të reja të cilat garantojnë ndikim minimal negativ në ambient. Ligji e Statuti për Trepçën janë baza e hapjes së një kaptine të re për Trepçën dhe ekonominë e Kosovës. Kërkohen veprime të tjera konkrete për ringjallje të prodhimit në Trepçë, investime për fuqizim të kapaciteteve nxjerrëse në minierat ekzistuese, riaktivizim të minierave të braktisura, hapje të minierave të reja, investim në hulumtime gjeologjike për shtim të rezervave të reja të xeherorëve të plumb-zinkut dhe krahas kësaj investim në industrinë përpunuese. Pas investimeve në infrastrukturë rrugore, duhet të më në fund të kalohet në investime në Trepçë.

Trepça nuk është në krizë. Kosova është në krizë ekonomike. Trepça është zgjidhja e krizës ekonomike. Si mundet më qenë Trepça në krizë, kur tash ka mbi 60 milionë ton rezerva xeherore të plumb-zinkut, pa llogaritur në potencialin e madh në zonat e lokacionet tjera të njohura për Trepçën. Trepça është në krizë për një qeveri vizionare, një qeveri e cila në rendë të parë duhet ta di kush është Trepça, çka ngërthen në vete Trepça, çka do të thotë Trepça për Kosovën. Kriza financiare është pasojë e problemeve më tepër subjektive të cilat kanë rezultue me prodhim të ulët që nuk po mbulohen shpenzimet nga mungesa e investimeve.

Pretendentet për gllabërim të Trepçës po lansojnë teza e po sajojnë gënjeshtra duke u munduar ta bindin opinionin e gjerë se Trepça është mit, Trepça është dinozaur etj. Madje Serbia më humbje e ka mbajt Trepçën. Krejt këto janë skenarë djallëzore për privatizim. Nga këto gënjeshtra Trepça gati po shikohet si problem social më të cilën duhet marrë vetëm për hir të minatorëve.

Qeveritarë e deputetë në çdo takim e vizita të jashtme prezantojnë letra e dokumente për Trepçën. Krekosen se ka kompani të interesuara për investim e privatizim të Trepçës. Kurse në Trepçë vijnë vetëm në fushata. Po nuk është problem më gjet investitor e të interesuar për privatizim të Trepçës. Problemi është si më e ngjallë Trepçën vet shteti i Kosovës sepse kjo është lokomotiva e zhvillimit ekonomik. Privatizimi nuk është zgjidhje. Privatizimi i Trepçës nënkupton shkapërderdhjen dhe shkatërrimin e kompleksit të Trepçës, tjetërsim të pronave të Trepçës, humbje të emrit të Trepçës, shfrytëzim të egër e seleksionim të xeherorëve etj. As kush në rajon e më gjerë nuk e duan një Trepçë më kuptim të plotë të fjalës, për faktin se e dinë çka do të thotë Trepça për Kosovën dhe stabilitetin e shtetit. E duan një Trepçë me hapësirë për operim të firmave e kompanive të tipit të gurëthyesve, një Trepçë nga e cila marrin koncentrate të gatshme, Trepçë pa industri për përpunim të koncentrateve dhe finalizim të produkteve qe dalin nga përpunimi i koncentrateve.

Qeveria në ardhje urgjent duhet të gjej rrugë për investime në Trepçë, por me çdo kusht duhet të ruaj aksionet e veta, të jetë titullar së bashku me aksionarin e dytë-minatorët. Neve na duhen njerëz që bëjnë zgjidhje dhe sjellin risi, njerëz që i shfrytëzojnë këto pasuri për të mirën e këtij vendi. Njerëz që ua shumëfishojnë vlerën këtyre pasurive duke e lenë mënjan bindjen e gabuar se vetëm me privatizim ngjallet Trepça.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pesë fitore radhazi për Dallas Mavericks dhe sërish paraqitje mbresëlënëse…