Trepça ’89 akuzon Vushtrrinë dhe gjyqtarin Vula
Pavarësisht se nuk kishin dhënë vërejtje në raportin zyrtar të ndeshjes, drejtuesit e KF Trepça ’89 përmes një kumtese për media kanë reaguar ashpër në lidhje me organizimin e dobët të ndeshjes së dytë kampionale në “Ferki Aliu” ndaj Vushtrrisë dhe ndarjen e drejtësisë.
“Edhe pse pas ndeshjes së zhvilluar më datën 25 gusht, e vlefshme për javën e dytë të IPKO Superligës së Kosovës ndërmjet FC Vushtrria – KF Trepça ’89, e cila përfundoi me rezultat të barabartë 1:1, ne si kryesi dolëm me deklaratë zyrtare se ndeshja ishte mirë e organizuar nga vendasit, detyrohemi që përmes kësaj deklarate të reagojmë në raportin vlerësues nga personat zyrtarë, në këtë rast Senad Hamgjiq, i cili nuk e dimë se për interesa të kujt e vlerëson ndeshjen me notën pozitive 5 (pesë). Si dëshmi janë incizimet në pesëmbëdhjetë minutat e fundit kur lojtari Muja ndalet në mënyrë të palejueshme dhe referi akordon goditje dënimi, atëherë fillojnë gjuajtjet e më shumë se dhjetë shisheve e gjësende të tjera të rrezikshme në fushë, dëshmi kur njërën nga këto shishe njëri prej lojtarëve të FC Vushtrrisë e hap dhe pinë nga ajo shishe (qesharake, por e rrezikshme gjuajtja)”, thuhet në reagimin e Trepçës ’89.
“Referi kryesor Vula ka bërë gabim trashanik kur nuk e ndëshkon me karton të kuq Ilir Izmakun pas ndërhyrjes në minutën e 49, por jo vetëm për këtë ndërhyrje Izmaku gjatë gjithë ndeshjes ka reaguar në mënyrë të çuditshme ku herë pas here edhe ka goditur lojtarët tanë pa top. Ka pasur edhe ndërhyrje të tjera nga lojtarët vendas që i kanë merituar së paku tre kartonë të kuq, por referimi skandaloz i Vulës, i cili, si duket, ka planifikuar që ekipi vendas të dalë i pamposhtur, pse jo edhe ta fitojë ndeshjen”, thuhet në reagimin e ’89-shit.
Skuadra nga Mitrovica vlerëson se me lëshime joprofesionale dhe sjellje të tilla të adhuruesve futbolli i Kosovës nuk shkon përpara. Kjo skuadër ka kërkuar kujdes më të madh pasi vëzhgimi është në çdo ndeshje nga UEFA dhe FIFA.
/Epoka e re/