Trepça ’89 dhe Dukagjini ‘luftojnë’ për Superligë
Superliga për edicionin 2021/22 do të kompletohet sot, pasi do të zhvillohet ndeshja e barazhit në mes të Trepçës ’89 dhe Dukagjinit.
Skuadra e Dukagjinit të Klinës e kërkon sot (e premte) inkuadrimin në Superligën e Kosovës në futboll, në përballjen e Trepçës ’89 në ndeshjen e barazhit. Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 16:00. Për gazetë të enjten ka folur një prej lojtarëve të Dukagjinit, Fatlum Gashi. Ky i fundit ka thënë se skuadra nga Klina nga fillimi i edicionit e ka pasur synim kryesor inkuadrimin në elitë, të cilën beson se do ta arrijë.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe me shumë presion psikologjik nga të dyja anët, por ne jemi përgatitur mirë dhe kemi lojtarë me përvojë në ekip për ndeshje të tilla dhe besoj se do t’ia dalim të inkuadrohemi në Superligë. Kundërshtari ynë ka një ekip për ta vlerësuar, por duke e ditur se është vetëm një ndeshje jemi përgatitur gjatë gjithë javës dhe me angazhim e disiplinë besojmë në fitore. Objektivi ynë që nga fillimi ka qenë inkuadrimi në Superligë dhe të gjithë në klub e qytet jemi optimistë se do ta realizojmë”, ka thënë Gashi për “Epokën e re”.
Dukagjini e fitoi ndeshjen gjysmëfinale të barazhit kundër Flamurtarit (2-1) dhe tash do të luajë në finale. Në anën tjetër, skuadra e Trepçës ’89 e mbylli kampionatin në rangun elitar në pozitën e tetë dhe për ta siguruar mbetjen në Superligë i duhet fitorja ndaj Dukagjinit. Futbollisti Muharrem Jashari ka thënë se skuadra nga Mitrovica do të kalojë me sukses këtë ndeshje.
“Jemi duke u përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Pa dyshim se do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse Dukagjini ka një skuadër cilësore. Kam besim të madh në skuadër që do ta kalojmë me sukses këtë ndeshje”, ka thënë Jashari.
Trepça ’89 vite më parë ka qenë kampione e Kosovës dhe e kishte prezantuar për herë të parë Kosovën në garat parakualifikuese në Ligën e Kampionëve, ndërsa Dukagjini ishte pjesë e Superligës, por në edicionin e fundit luajti në Ligën e Parë dhe arriti në finale të Kupës ku u mposhtë pas ekzekutimit të penalltive nga skuadra e Llapit.
/Veton ZYMBERI/