Trepça ‘89 dhe Prishtina kërkojnë këndelljen në ‘Riza Lushta’

18 shtator 2019 | 10:11

Java e pestë e elitës së futbollit sjell sot (e mërkurë) tri ndeshje derbi. Në Mitrovicë përballen Trepça ‘89 dhe Prishtina. Synim i të dy skuadrave është këndellja pas humbjeve që pësuan në fundjavë. Në Podujevë mejdanin e ndajnë Llapi i Tahir Batatinës dhe lideri i elitës, Drita. Derbi tjetër i kësaj xhiroje zhvillohet në mes të Gjilanit dhe Ballkanit.

Skuadra e Trepçës ‘89 dhe ajo e Prishtinës kanë pësuar humbje në fundjavë nga Ballkani, përkatësisht Llapi dhe sot (e mërkurë) kërkojnë këndelljen në përballjen që e zhvillojnë ndërmjet vete nga ora 16:00 në stadiumin “Riza
Lushta”.

Portieri Arben Beqiri ka thënë për “Epokën e re” se skuadra nga Mitrovica do të hyjë në këtë ndeshje me synimin për t’i marrë tri pikë të plota.

“Një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat, por edhe një derbi ku dihet që kur takohen Trepça ‘89 dhe Prishtina gjithmonë interesimi është i madh sikurse edhe rivaliteti. Ne kemi bërë përgatitjet maksimale dhe kemi besim në grupin tonë dhe normalisht se hyjmë për fitore. Mungesën e vetme për këtë ndeshje e kemi Ardian Mujën për shkak të lëndimit, kurse gjithë lojtarët e tjerë janë të gatshëm për këtë ndeshje”, ka thënë Beqiri.

‘89-shi ishte duke e humbur ndeshjen e fundjavës nga Ballkani me rezultat 3-0, por arriti që të rikthehet në lojë dhe të shënojë dy gola, por që ishin të pamjaftueshme për të marrë një pikë. Në
anën tjetër, Prishtina në ndeshjen e parë që drejtohej nga Bylbyl Sokoli dështoi në përballje me Llapin, pasi humbi 0-1.

Trajneri Bylbyl Sokoli ndeshjen e sotme ndaj ’89-shit e vlerësoi si të rëndësishme, kurse ka paralajmëruar se kryeqytetasit synime kanë rikthimin e vetëbesimit.

“Ndeshje e rëndësishme ku do të mundohemi ta rikthejmë vetëbesimin. Besoj se me një angazhim dhe me disiplinë në lojë do të prezantohemi siç është më së miri. Por, jemi edhe të hendikepuar, megjithëse kthehet Leonit Abazi, tani Ahmed Januzi ka një lëndim dhe do të na mungojë shumë, sepse ka qenë një prej futbollistëve të dalluar kundër Llapit, por do të shohim çfarë do të ndodhë”, ka thënë Sokoli.

Dy derbi të tjerë po ashtu zhvillohen sot
(e mërkurë) në Podujevë dhe Gjilan. Në
stadiumin “Zahir Pajaziti” takohen Llapi dhe liderja aktuale e IPKO Superligës, Drita, derisa skuadra e dytë në tabelë, Gjilani, e pret skuadrën e Ballkanit që nuk po njeh humbje që disa ndeshje. Tri ndeshjet e tjera të javës së pestë zhvillohen nesër (e enjte).

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milot Rashica mungoi në tri ndeshjet e fundit të Werder…